Pikat kufitare të qarkut të Kukësit me Kosovën kanë regjistruar një fluks rekord lëvizjesh gjatë muajve maj dhe qershor, teksa mijëra qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar fundjavat dhe pushimet verore.
Drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës, Arben Alika, bëri të ditur se gjatë periudhës maj–qershor 2026 në pikat kufitare të qarkut janë përpunuar 2,569,414 shtetas dhe 1,303,496 automjete.
Sipas tij, mesatarisht çdo ditë kanë kaluar kufirin 42,122 shtetas dhe 21,369 automjete, ndërsa fluksi më i lartë i regjistruar brenda 24 orëve ka arritur në 74,247 shtetas dhe 28,959 automjete.
“Ky është një tregues i qartë i rritjes së ndjeshme të lëvizjeve ndërkufitare gjatë sezonit turistik”, u shpreh Alika gjatë një konference për mediat.
Për të përballuar fluksin në rritje, autoritetet kanë shtuar kapacitetet e shërbimit në pikat kufitare, duke hapur edhe dy poste të reja pune në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë.
Alika bëri të ditur gjithashtu se po përfundon instalimi i sistemeve dhe pajisjeve të reja teknologjike, të cilat pritet të përshpejtojnë përpunimin e qytetarëve dhe automjeteve, duke ruajtur njëkohësisht standardet e sigurisë kufitare.
Një fokus i veçantë, sipas tij, i është kushtuar edhe monitorimit të sigurisë në hapësirat liqenore dhe lumore të qarkut. Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, po kontrollohet zbatimi i rregullave të sigurisë nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në këto zona, si dhe përdorimi i mjeteve lundruese.
Për këtë qëllim janë angazhuar 57 punonjës policie, ndërsa monitorimi po kryhet si nga toka, ashtu edhe nga ajri me përdorimin e dronëve.


