Bilanci i viktimave nga dy tërmetet shkatërruese në Venezuelë ka shkuar në mbi 4 mijë të vdekur, ndërsa vendi do të përballet me një proces të gjatë dhe të vështirë rimëkëmbjeje.
Sipas qeverisë venezueliane, deri më tani kanë humbur jetën të paktën 4,118 persona, ndërsa 16,740 të tjerë janë plagosur. Mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur pas dy tërmeteve që goditën vendin më 24 qershor.
Kryetari i Parlamentit të Venezuelës, Jorge Rodríguez, bëri të ditur përmes një postimi në Telegram se tërmetet e fuqishme shkatërruan zona të tëra në shtetin bregdetar La Guaira.
Tërmeti i parë me magnitudë 7.2 u pasua vetëm 39 sekonda më vonë nga një tërmet edhe më i fuqishëm me magnitudë 7.5, më i madhi që ka goditur Venezuelën në më shumë se një shekull. Lëkundjet shembën pallate shumëkatëshe dhe shkaktuan dëme të mëdha në infrastrukturë.
Edhe pse ekipet e shpëtimit kanë përfunduar kërkimet për të mbijetuar, familjarët vijojnë të kërkojnë të afërmit e tyre nën rrënoja, me shpresën për t’u dhënë atyre një varrim dinjitoz.
Ndërkohë, të premten, një tjetër tërmet me magnitudë 3.0 goditi qendrën e Karakasit, duke shkaktuar panik të përkohshëm dhe evakuimin e disa ndërtesave.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje urgjente për sigurimin e rreth 300 milionë dollarëve ndihmë humanitare, me qëllim mbështetjen e 1.3 milionë personave që kanë nevojë urgjente për ndihmë. Në zonat më të prekura janë ngritur kuzhina dhe klinika të lëvizshme, si edhe spitale fushore për t’u ardhur në ndihmë të mbijetuarve.
Sipas Zyrës së OKB-së për Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë, dëmet direkte në banesa dhe infrastrukturë vlerësohen në rreth 37 miliardë dollarë.
Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, ka kërkuar lirimin e aseteve të ngrira të vendit jashtë shtetit për t’i përdorur në procesin e rindërtimit. Ajo deklaroi se i ka kërkuar edhe Mbretit Charles III lirimin e rreth 30 tonëve ar venezuelian, të bllokuar në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të sanksioneve.
Rodríguez mbrojti reagimin e autoriteteve ndaj fatkeqësisë natyrore, duke theksuar se vendi nuk do të zhytet në trazira sociale. Megjithatë, shumë qytetarë venezuelianë kanë shprehur pakënaqësi, duke e cilësuar reagimin fillestar të qeverisë si të pamjaftueshëm, deri në mbërritjen e ekipeve ndërkombëtare të ndihmës.


