Detaje të reja janë bërë publike gjatë seancës gjyqësore ndaj Tyler Robinson, i dyshuar për vrasjen e Charlie Kirk, ku u paraqit intervista e regjistruar e një prej personave më të afërt me të, shokut të dhomës Lance Twiggs.
Deklarata e Twiggs u prezantua në gjykatë nga agjenti i Byrosë së Hetimit të Shtetit të Utah-ut, Brian Davis. Në fillim të intervistës së regjistruar, Twiggs konfirmoi se ai dhe Robinson kishin jetuar së bashku në të njëjtin apartament, por në dhoma të ndara.
Sipas dëshmisë së tij, Robinson i kishte kërkuar t’i huazonte një mjet elektrik të tipit Dremel, një pajisje që përdoret për gdhendje dhe punime të imëta.
Twiggs deklaroi gjithashtu se Robinson kishte folur për muaj me radhë për një udhëtim gjuetie dhe kampingu që pretendonte se do ta zhvillonte me familjen e tij.
“Ai më tha se po planifikonte të shkonte për gjueti me familjen. Prej disa muajsh fliste vazhdimisht për atë udhëtim gjuetie dhe kampingu”, dëgjohet të thotë Twiggs në intervistën e paraqitur në gjykatë.
Gjatë seancës, gjyqtari Graf vendosi që disa mesazhe tekstuale të dërguara nga Tyler Robinson, si dhe një shënim me shkrim që prokurorët ia atribuojnë atij, të pranohen si prova në proces.
Avokatët mbrojtës kundërshtuan publikimin e këtyre materialeve, duke argumentuar se ato mund të ndikojnë te një juri e mundshme nëse çështja shkon në gjykim. Megjithatë, gjykatësi vendosi se provat mund të paraqiten, duke kërkuar vetëm redaktimin e disa të dhënave personale, si numrat e telefonit.
Seanca pati edhe disa ndërprerje të shkurtra, gjatë të cilave u shqyrtuan materiale video të lidhura me çështjen.
Tyler Robinson u paraqit në sallën e gjyqit i veshur me kostum gri dhe këmishë të bardhë. Ai qëndroi pranë avokatëve të tij dhe ndoqi procedurat gjyqësore.
Në seancë foli gjithashtu Jeffrey Neiman, avokati që përfaqëson Erika Kirk dhe familjen e saj. Ai kërkoi që provat të shfaqeshin në sallën e gjyqit, edhe nëse ato nuk do të transmetoheshin drejtpërdrejt.
“Familja Kirk ka pritur 10 muaj për këtë seancë. Ata kanë të drejtë të jenë këtu, të dëgjojnë provat dhe të shohin se çfarë po ndodh në gjykatë”, deklaroi Neiman.
Procedurat gjyqësore pritet të vijojnë me paraqitjen e provave dhe dëshmive të tjera, ndërsa gjykata do të vendosë për hapat e mëtejshëm të çështjes.


