Një 69-vjeçar nga fshati Shalës, në bashkinë e Konispolit, ka mbetur i plagosur pasi u rrëzua teksa kulloste bagëtitë në një zonë malore.
I moshuari, Ismet Domeri, u transportua fillimisht në Spitalin e Sarandës për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Megjithatë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe plagëve të marra, u vendos transferimi i tij me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se 69-vjeçari ka humbur ekuilibrin, ndërsa temperaturat e larta dhe terreni i vështirë mund të kenë ndikuar në rrëzimin e tij.
Ai u gjet nga persona që ndodheshin pranë zonës, të cilët njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës. Aktualisht, Ismet Domeri ndodhet në Spitalin e Traumës, ku po merr trajtim të specializuar mjekësor.


