Një gjykatë në Berlin ka dënuar me burgim të përjetshëm një mjek të kujdesit paliativ, pasi e shpalli fajtor për vrasjen e 15 pacientëve të tij gjatë një periudhe gati trevjeçare.
Mjeku 41-vjeçar, i identifikuar si Johannes M., sipas rregullave gjermane për mbrojtjen e privatësisë, u shpall përgjegjës për vdekjen e 12 grave dhe 3 burrave, krime që sipas gjykatës u kryen mes shtatorit 2021 dhe korrikut 2024. Viktimat ishin nga 25 deri në 94 vjeç dhe, ndonëse vuanin nga sëmundje të rënda, asnjë prej tyre nuk ndodhej në fazën përfundimtare të jetës.
Sipas hetimeve, mjeku u administronte pacientëve, pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre, një kombinim medikamentesh me efekt vdekjeprurës gjatë vizitave në banesat e tyre. Në disa raste, ai dyshohet se u vuri zjarrin banesave të viktimave në përpjekje për të zhdukur provat.
Një nga episodet më të rënda ndodhi në korrik 2024, kur, sipas prokurorisë, ai vrau dy pacientë brenda së njëjtës ditë. Fillimisht humbi jetën një 75-vjeçar në qendër të Berlinit, ndërsa disa orë më vonë u vra një grua 76-vjeçare në një lagje tjetër të kryeqytetit. Pas krimit të dytë, ai tentoi t’i vinte flakën banesës së viktimës, por nuk arriti ta përhapte zjarrin.
Gjatë pjesës më të madhe të procesit gjyqësor, i cili zgjati rreth një vit, i pandehuri nuk pranoi të jepte deklarata. Vetëm muajin e kaluar ai pranoi autorësinë e 12 vrasjeve, duke pretenduar se kishte vepruar me bindjen se po u jepte fund vuajtjeve të pacientëve.
“Gjatë gjithë kohës mendoja se kjo ishte zgjidhja më e mirë për të gjithë”, deklaroi ai para trupit gjykues, duke kërkuar njëkohësisht falje për dhimbjen e shkaktuar familjarëve të viktimave.
Megjithatë, hetimet nuk përfundojnë me kaq. Prokuroria gjermane po verifikon edhe 76 raste të tjera të dyshuara që mund të lidhen me të njëjtin mjek. Nëse këto dyshime konfirmohen, çështja mund të konsiderohet një nga rastet më të mëdha të vrasjeve seriale në historinë e Gjermanisë.
Në sallën e gjyqit dëshmuan edhe të afërmit e viktimave. Nëna e pacientes më të re, një 25-vjeçare që humbi jetën në vitin 2021, deklaroi se vajza e saj nuk kishte shprehur kurrë dëshirën për t’i dhënë fund jetës. Ndërkohë, djali i një prej viktimave, një 72-vjeçareje, tregoi se e ëma kishte planifikuar pushime pranë Detit Baltik me motrën e saj.
“Pavarësisht sëmundjes, nëna ime donte të jetonte,” u shpreh ai.
Përveç burgimit të përjetshëm, gjykata urdhëroi që mjeku të mbahet në paraburgim të posaçëm edhe pas përfundimit të dënimit, duke e cilësuar atë si një rrezik të vazhdueshëm për shoqërinë. Gjithashtu, atij i është ndaluar përgjithmonë ushtrimi i profesionit të mjekut.


