Një ngjarje tragjike ka tronditur plazhin e Otrantos në Itali, ku një 54-vjeçar humbi jetën pasi arriti të shpëtonte dy fëmijët e tij binjakë 8-vjeçarë nga rrymat e forta të detit.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi paraditen e së shtunës, rreth orës 11:30. Pavarësisht erës së fortë dhe kushteve të vështira në det, disa pushues kishin hyrë për t’u larë. Mes tyre ishin edhe dy binjakët, të cilët u tërhoqën me shpejtësi nga rrymat dhe u larguan nga bregu.
Sapo dëgjoi thirrjet për ndihmë, babai u hodh menjëherë në det. Pas një përpjekjeje të vështirë, ai arriti t’i shpëtonte fëmijët dhe t’i kthente të sigurt në breg.
Por heroizmi i tij pati një fund tragjik. Menjëherë pasi doli nga uji, 54-vjeçari, i identifikuar si Gennaro Cagnazzo, banues në zonën e Leçes, u ndje keq dhe u rrëzua në rërë.
Pushuesit e pranishëm dhe më pas ekipet e emergjencës u përpoqën ta rikthenin në jetë, por pa sukses. Sipas dyshimeve paraprake të autoriteteve, ai mund të ketë pësuar një problem të rëndë shëndetësor si pasojë e sforcimit të madh fizik gjatë shpëtimit të fëmijëve të tij.


