Një analizë e re e think tank-ut e European Policy Innovation Council (EPIC) sugjeron se Ukraina dhe Moldavia janë aktualisht më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian sesa disa vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën.
Kjo bazohet në raportet e progresit të Komisionit Evropian dhe përdor një sistem vlerësimi me pesë tregues kryesorë: gjendja aktuale e reformave, progresi vjetor, zbatimi i rekomandimeve të BE-së, statusi i kapitujve të negociatave dhe dinamika e përgjithshme drejt anëtarësimit.
Sipas rezultateve të EPIC, Ukraina dhe Moldavia kanë shënuar përparim të konsiderueshëm dhe aktualisht pozicionohen përpara disa vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimit evropian. Megjithatë, raporti thekson se procesi mbetet i ndryshëm për çdo vend, duke reflektuar sfida të veçanta politike, institucionale dhe ekonomike.
Në të njëjtën kohë, EPIC identifikon Malin e Zi dhe Shqipërinë si vendet më të avancuara mes kandidatëve të Ballkanit Perëndimor, duke i konsideruar ato si “kandidatët më pranë vijës së finishit” në procesin e zgjerimit të BE-së.
Theksohet se pavarësisht ndryshimeve në ritmin e reformave, perspektiva e zgjerimit të Bashkimit Evropian mbetet e hapur dhe gjithnjë e më dinamike, me një garë të re që përfshin si vendet e Evropës Lindore ashtu edhe ato të Ballkanit Perëndimor.


