Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, në ceremoninë e hapjes së Shkollës Kombëtare të Fluturimit në Bazën Ajrore të Rinasit, theksoi se ky është një hap i rëndësishëm në modernizimin e Forcës Ajrore dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
“Sot shënojmë krijimin e një kapaciteti të ri strategjik për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare, që lidhet me një nga elementët më të rëndësishëm të fuqisë sonë mbrojtëse: kapacitetet njerëzore. Dy helikopterët e rinj të trajnimit, të cilët i janë bashkuar kapaciteteve të Forcës Ajrore, do të shërbejnë si platforma moderne për formimin e pilotëve të ardhshëm. Ato do të krijojnë kushte që kursantët të zhvillojnë aftësitë e tyre në një mjedis trajnimi që u përgjigjet kërkesave të kohës”, tha Nufi
Nufi shtoi se investimet në infrastrukturë, teknologji dhe, mbi të gjitha, në burimet njerëzore, janë pjesë e një strategjie afatgjatë që synon ta bëjë Shqipërinë një aleate më të aftë dhe më të besueshme në kuadër të NATO-s.
“Kjo shkollë mishëron vizionin e qeverisë shqiptare për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse”, tha ai.


