Ministria e Jashtme e Iranit ka mohuar se janë planifikuar bisedime me Shtetet e Bashkuara në Katar, duke kundërshtuar deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump për një takim të mundshëm në Doha.
Zëdhënësi i ministrisë, Esmail Baghai, deklaroi se një delegacion iranian do të udhëtojë drejt Katarit gjatë kësaj jave, por theksoi se kjo vizitë nuk ka lidhje me ndonjë takim apo negociatë me zyrtarë amerikanë.
Sipas tij, Teherani nuk ka hyrë në negociata për një marrëveshje përfundimtare me Uashingtonin dhe çështjet mes dy vendeve mbeten të hapura, duke nënvizuar se prioritet mbetet zbatimi i angazhimeve të mëparshme dhe respektimi i marrëveshjeve ekzistuese.
Në të njëjtën linjë, zëvendësministri i Jashtëm iranian Kazem Gharibabadi mohoi gjithashtu se gjatë kësaj jave janë planifikuar takime mes ekipeve teknike iraniane dhe zyrtarëve amerikanë në Katar.
Deklaratat e Teheranit vijnë pas pretendimeve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte thënë më herët se një takim mes përfaqësuesve të SHBA-së dhe Iranit do të zhvillohej në Doha, duke shtuar se kërkesa për bisedime kishte ardhur nga pala iraniane.
“Irani ka kërkuar një takim. Ai do të zhvillohet nesër në Doha”, kishte deklaruar Trump në platformën e tij “Truth Social”.
Palët, megjithatë, mbeten me qëndrime të kundërta për ekzistencën dhe natyrën e çdo komunikimi të mundshëm diplomatik.


