Nico Williams publikoi një mesazh në rrjetet sociale. Ylli i Spanjës e konsideroi ditën më të vështirë të jetës, pasi iu konfirmua se është i dëmtuar. Ishte takimi me Uruguajn ku edhe u dëmtua, ndërsa nuk kishte shumë që u kthye nga një periudhë e vështirë.
Spanja është në alarm. 23-vjeçari nuk dihet se kur mund të jetë sërish i gatshëm në Botëror, ndërsa e mbyll mesazhin me shpresë.
“Sot është një nga ditët më të vështira të jetës sime. Pësoj sërish një dëmtim, pas një viti shumë të vështirë, gjatë të cilit pubalgjia më fitoi shumë beteja, por jo luftën. Arrita ta mposht me punë, sakrificë dhe, mbi të gjitha, me përgjegjësi.
Ishte një vit e gjysmë i mbushur me vuajtje, trishtim, pasiguri dhe ankth. Nuk e dija se kur do të luaja përsëri pa dhimbje dhe as kur do të rifitoja një jetë normale. Arrita deri aty sa të më duhej të jetoja me dhimbjen edhe në gjëra kaq të thjeshta si të shkoja në banjo, të hipja e të zbrisja nga makina apo thjesht të shijoja përditshmërinë.
Të isha sërish i lumtur duke luajtur futboll ishte përparësia ime më e madhe, së bashku me rikthimin e buzëqeshjes. Sepse pa buzëqeshje, pa e shijuar atë që bëj dhe pa qenë i lumtur, nuk mund të jap maksimumin tim.
E kalova edhe këtë. Më pas u shfaq një dëmtim në muskulin e pasmë të kofshës, i cili më vuri sërish në provë. Edhe një herë humba buzëqeshjen, por kjo nuk do të më ndalte.
Dje pësova një dëmtim të ri pas një ndërhyrjeje, në të cilën një koleg veproi i shtyrë nga frustrimi, pakënaqësia dhe trishtimi për situatën që po kalonte. Sipas mendimit tim, ajo ishte një ndërhyrje që mund të ishte shmangur, sepse ishte krejtësisht e panevojshme.
Por as kjo nuk do të më ndalë. E di se Zoti ka një plan për mua dhe do të vazhdoj të luftoj deri në çastin e fundit për t’u rikthyer të bëj atë që dua më shumë: Të luaj futboll, të jem i lumtur dhe t’u dhuroj shumë gëzim të tjerëve.
Faleminderit nga zemra të gjithëve për mesazhet tuaja të mbështetjes. Historia nuk ka përfunduar. Do të shihemi sërish sa më shpejt të jetë e mundur në këtë Kampionat Botëror”, shkruan Nico Williams./ PanoramaSport


