Një 46-vjeçar nga Kosova është shpëtuar nga shërbimet e Policisë Kufitare në Velipojë, pasi mjeti i tij lundrues pësoi defekt dhe mbeti në vështirësi në hapësirën detare.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, menjëherë pas marrjes së sinjalizimit për një skaf që kishte pësuar defekt, u organizua një operacion kërkimi dhe shpëtimi për lokalizimin e mjetit dhe dhënien e ndihmës së nevojshme.
Në operacion u angazhuan mjetet lundruese të Policisë Kufitare, si dhe operatorë turistikë të zonës, pasi fillimisht nuk dihej pozicioni i saktë i skafit.
Pas kërkimeve, mjeti lundrues u gjet në thellësi të lumit Buna, rreth 17 milje larg grykëderdhjes. Nga verifikimet rezultoi se skafi tip “Morea” drejtohej nga shtetasi A.B., 46 vjeç, banues në Prishtinë, i cili kishte mbetur në det për shkak të një defekti në motor.
Shërbimet e Policisë Kufitare i ofruan ndihmën e nevojshme dhe bënë të mundur shoqërimin e sigurt të tij dhe të mjetit lundrues drejt vendstacionimit të mjeteve lundruese në Pulaj, Velipojë.
Policia Kufitare theksoi se mbetet e angazhuar në garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe turistëve në hapësirat ujore, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që në raste emergjente të kontaktojnë menjëherë numrin unik të emergjencave 112.


