Federata e Futbollit e Algjerisë (FAF) ka paraqitur një ankesë zyrtare në FIFA pas vendimeve të arbitrave gjatë humbjes 0-3 ndaj Argjentinës në Kupën e Botës 2026, duke kontestuar në veçanti mungesën e ndëshkimit me karton të kuq për Lionel Messin.
Sipas mediave lokale algjeriane, përfshirë gazetën sportive kryesore “Compétition”, dhe burimeve zyrtare të cituara prej tyre, ankesa lidhet me disa episode të diskutueshme të ndeshjes së Grupit J. Në qendër të polemikës është drejtimi i ndeshjes nga arbitri polak Szimon Marçiniak, i akuzuar se ka marrë vendime që kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rrjedhën e lojës.
EPISODI I MESIT – Sipas Federatës algjeriane, incidenti kryesor ndodhi në minutën e 31-të, kur Lionel Mesi, autor i golit të avantazhit argjentinas në minutën e 17-të, goditi mbrojtësin Aisha Mandi në pulpë me takat e këpucës, pa marrë asnjë ndëshkim disiplinor. Pamjet e këtij episodi u bënë shpejt virale në rrjetet sociale në mbarë botën dhe ndezën debat të madh mbi arbitrimin e ndeshjes.
EPISODI TJETËR – Episodi i dytë i përmendur në ankesë lidhet me një goditje me bërryl të mesfushorit argjentinas Aleksis Mek Alister ndaj sulmuesit algjerian Ibrahim Maza në minutën e 74-t, i cili mbeti i shtrirë në fushë pas kontaktit në fytyrë. Edhe në këtë rast, sipas algjerianëve, arbitri dhe VAR nuk ndërhynë. Federata algjeriane pretendon se këto vendime kanë ndikuar në mënyrë të rëndësishme në rezultatin përfundimtar të ndeshjes dhe kërkon shqyrtim nga FIFA.


