TIRANË– Familjet dhe individët në nevojë që trajtohen me ndihmë ekonomike do të përfitojnë kompensim të plotë për një pjesë të faturës së ujit gjatë vitit buxhetor 2026.
Sipas Udhëzimit nr. 3, datë 5.6.2026 që tashmë ka hyrë në fuqi, “Për miratimin e metodologjisë, për kriteret dhe procedurat, për shpërndarjen dhe përdorimin e subvencioneve shtetërore, për ofruesit e shërbimeve në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, për vitin buxhetor 2026”, kategoritë në nevojë do të kompensohen në masën 100% për konsumin deri në 5 metra kub ujë të pijshëm në muaj për kontratë.
Përfitues janë subjektet e parashikuara nga neni 7 i ligjit nr. 57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Skema nuk mbulon vetëm vlerën e ujit të konsumuar. Udhëzimi parashikon se për këto kategori do të subvencionohen edhe tarifa fikse, tarifa e kanalizimeve dhe trajtimi i ujërave të ndotura urbane.
Zbritja do të bëhet automatikisht në faturën mujore të gjeneruar nga shoqëria përkatëse e ujësjellës-kanalizimeve, pa pasur nevojë që familjet përfituese të aplikojnë çdo muaj. Kompensimi do të jepet vetëm një herë për çdo familje, edhe në rastet kur në përbërje të saj ka më shumë se një anëtar që mund të përfshihet në kategoritë përfituese.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet t’u dërgojnë shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve listën e plotë të familjeve dhe individëve në nevojë brenda datës 10 të çdo muaji. Fondet do të administrohen nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, ndërsa shpërndarja do të bazohet në të dhënat e raportuara nga shoqëritë UK.
Udhëzimi përcakton se vetëm shoqëritë që kanë nënshkruar kontratë performance me AKUK-në kanë të drejtë të rimbursohen nga fondi i subvencionit. Megjithatë, edhe shoqëritë që nuk kanë nënshkruar ende kontratën e performancës janë të detyruara të aplikojnë zbritjen 100% për kategoritë në nevojë.
Në këto raste, kostoja do të mbulohet nga vetë shoqëritë deri në momentin kur ato bëhen të ligjshme për të përfituar rimbursim pas nënshkrimit të kontratës. Nëse pas mbulimit të familjeve në nevojë mbeten fonde të papërdorura, ato mund të përdoren për të mbuluar kostot e energjisë elektrike të shoqërive të ujësjellësit. Ky përdorim lejohet vetëm për shoqëritë që kanë mbi 75% të volumit të prodhimit të ujit me ngritje mekanike./Monitor


