Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nga Fier se në qytet do të ndërtohet së shpejti një universitet mjekësie me standarde të larta, si pjesë e zgjerimit të arsimit të lartë në disa qytete të vendit.
“Do sjellim në Fier një universitet mjekësie shumë shpejt, të standardeve më të larta, ashtu siç do bëjmë edhe në Vlorë, në Tiranë dhe në Korçë, dhe për këtë jemi duke punuar”, u shpreh Rama, duke theksuar se projekti është në proces zhvillimi.
Ai komentoi gjithashtu edhe kritikat për lëvizjet e tij gjatë ditës, duke iu përgjigjur me ironi: “Këta thonë ‘Edi Rama merr helikopterin’. Jo mo jo, kur e marr e marr sepse në të njëjtën ditë duhet të shkoj nga këtu aty”.
Gjatë fjalës së tij, Rama pati edhe një mesazh për të rinjtë që protestuan në Tirana, duke iu referuar zhvillimeve urbane dhe gjelbërimit në kryeqytet.
“Atyre të rinjve të bulevardit u them se pishat e bulevardit, ato të vjetrat që janë të mëdha në trup… çdo pemë tjetër që ju shikoni në rrugët e Tiranës, është mbjellë nga Edi Rama dhe PS”, deklaroi ai.
Deklaratat e tij u bënë në kuadër të një takimi elektoral, ku ai prezantoi edhe planet për zhvillimin e arsimit dhe infrastrukturës në jug të vendit.


