Temu është gjobitur me 200 milionë euro nga Bashkimi Evropian, pas shkeljeve të dyshuara të Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA), lidhur me mosndalimin e shitjes së produkteve të paligjshme dhe të pasigurta në platformë.
Sipas rregullatorëve europianë të teknologjisë, hetimi ka zbuluar se kompania nuk ka arritur të identifikojë dhe vlerësojë në mënyrë të duhur rreziqet që lidhen me mallrat e paligjshme të ofruara nga shitës të ndryshëm në platformë. Gjithashtu, sistemi i rekomandimeve dhe promovimeve është vlerësuar se ka ndikuar në rritjen e ekspozimit të këtyre produkteve.
Komisioni Evropian i ka kërkuar kompanisë të paraqesë deri më 28 gusht një plan veprimi për të përmbushur detyrimet ligjore sipas DSA-së, përndryshe mund të përballet me masa të tjera ndëshkuese.
Nga ana e saj, Temu e ka cilësuar gjobën “joproporcionale”, duke deklaruar se ka ndërmarrë hapa për forcimin e sistemeve të sigurisë dhe mbrojtjes së konsumatorëve në platformë.
Hetimi ndaj kompanisë nisi pas ankesave të organizatave europiane të konsumatorëve dhe konsiderohet një nga rastet më të mëdha të zbatimit të rregullave të reja digjitale të BE-së ndaj platformave online.


