Aktiviteti i dhënies me qira të akomodimeve përmes platformës Airbnb në Shqipëri ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit 2024, duke reflektuar zgjerimin e këtij segmenti në tregun e turizmit.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), gjatë periudhës janar–dhjetor 2024, mbi 8,472 individë dhe subjekte kanë realizuar të ardhura nga dhënia e akomodimeve përmes kësaj platforme në vend.
Vlera totale e rezervimeve për këtë periudhë ka arritur mbi 3.8 miliardë lekë, ndërsa komisionet e përfituara nga platforma janë regjistruar në rreth 167.5 milionë lekë.
Administrata Tatimore thekson se disponon të dhëna të detajuara mbi rezervimet dhe të ardhurat e gjeneruara nga përdorimi i Airbnb. Në këtë kuadër, ajo u bën thirrje të gjithë individëve dhe subjekteve që përfitojnë të ardhura nga kjo veprimtari që t’i deklarojnë ato në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA 2025), në përputhje me ligjin.
Sipas DPT-së, deklarimi i saktë i të ardhurave ndihmon në shmangien e kontrolleve dhe penaliteteve të mundshme, duke kontribuar njëkohësisht në formalizimin e këtij sektori.
Afati i fundit për dorëzimin e deklaratës DIVA është 31 mars 2026.


