Edicioni i tretë i Ferma VIP nis këtë të premte, por vëmendja nuk është përqendruar vetëm tek konkurrentët, pasi paneli i opinionistëve pritet të sjellë dinamika interesante.
Këtë sezon, në rolin e opinionistëve do të jenë Einxhel Shkira, Armina Mevlani dhe Ermal Mamaqi. Ndërsa prania e Mamaqit pritet të jetë më e balancuar, vëmendja kryesore mbetet tek raporti mes Einxhelit dhe Arminës.
Dy vajzat kanë një histori që daton që nga viti 2022, gjatë Big Brother VIP Albania. Asokohe, Armina, në emisionin “Goca dhe gra”, kritikoi hapur lojën e Einxhelit dhe shprehu mbështetjen për Ilir Shaqiri si fitues.
Nga ana tjetër, Einxhel reagoi më vonë me tone ironike, duke komentuar mungesën e Arminës në një intervistë dhe duke lënë të kuptohej se kjo kishte qenë zgjedhja më e mirë.
Më pas, Armina sqaroi publikisht se nuk kishte pasur asnjë konflikt personal me Einxhelin, duke theksuar se qëndrimi i saj kishte qenë thjesht një opinion mbi lojën dhe jo ndaj personit.
Tani, me rikthimin e tyre në të njëjtin panel, publiku është kurioz të shohë nëse e kaluara do të ndikojë në raportin mes tyre, apo nëse gjithçka do të mbetet në kuadrin profesional.


