Një nga momentet më prekëse të Grida Duma Podcast erdhi nga rrëfimi i sinqertë i aktorit të njohur Mehdi Malkaj, i cili foli për betejën e gjatë dhe të dhimbshme të djalit të tij me drogën.
Pa dramatizime, Malkaj tregoi si baba për netët pa gjumë, kërkimet në rrugët e Tiranës dhe përpjekjet për të qenë shok dhe mbështetje për djalin, jo vetëm prind autoritar. “Gjënë time më të bukur dhe më të lumtur e kam momentin kur u vërtetua që djali fitoi një betejë. Është më e madhe se çdo sukses personal apo profesional”, tha ai.
Ai rrëfen se djali filloi të përdorte drogë në moshën 15-vjeçare, duke e përshkruar varësinë si një “dashuri të rreme që zgjati më shumë seç duhej”. Malkaj theksoi rëndësinë e familjes në shërimin e tij, veçanërisht dashurinë e motrës: “Ai tani është gjithë jetë. Ka sjellë dritë, gëzim, hare në shtëpi”.
Aktori përmendi edhe momentet e para familjare pas shumë vitesh, kur djali ishte serioz dhe korrekt, duke udhëhequr me përgjegjësi situata të thjeshta të jetës së përditshme.
Në përfundim, Mehdi Malkaj dha një mesazh të fortë për prindërit dhe shoqërinë: “Mos mallkoni kurrë ‘u paça fëmijët me drogë’. Është luftë e madhe, shumë e madhe”, duke theksuar se dashuria, koha dhe përkushtimi mund të bëjnë mrekulli.


