Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka bërë një deklaratë të fortë publike gjatë një aktiviteti solidariteti në Barcelonë, ku foli hapur për dhimbjen dhe zemërimin e tij lidhur me situatën në Rripin e Gazës.
Guardiola u shfaq i veshur me një shall palestinez gjatë koncertit dhe u ndal te pamjet tronditëse që ka parë gjatë dy viteve të fundit në rrjetet sociale dhe në televizion, veçanërisht ato që tregojnë vuajtjet e fëmijëve në zonat e shkatërruara nga lufta.
“Shoh një fëmijë mes rrënojave që pyet veten ‘ku është nëna ime?’, pa e ditur ende të vërtetën. Gjithmonë mendoj: çfarë po u shkon ndërmend? Besoj se i kemi lënë vetëm, i kemi braktisur,” u shpreh trajneri 55-vjeçar.
Tekniku katalanas nuk kurseu kritikat ndaj udhëheqësve politikë botërorë, duke e cilësuar qëndrimin e tyre si të dobët dhe frikacak.
“Ndoshta sepse ata që janë në pushtet janë frikacakë. Ata dërgojnë të rinj të pafajshëm për të vrarë njerëz të tjerë të pafajshëm. Ne duhet të bëjmë një hap përpara. Kjo është një deklaratë për Palestinën, por mbi të gjitha një deklaratë për njerëzimin,” theksoi Guardiola, mes duartrokitjeve të publikut.
Për shkak të pjesëmarrjes në këtë aktivitet, Guardiola mungoi në konferencën për shtyp të së premtes përpara derbit të së dielës ndaj Tottenhamit. Klubi i Manchester Cityt e justifikoi mungesën me “arsye personale”, ndërsa në vend të tij para mediave doli asistenti Pep Lijnders.


