Dalje të reja kanë hedhur dritë mbi zjarrin shkatërrues në resortin zviceran Le Constellation, në qytetin turistik të skive Crans-Montana, ku humbën jetën 40 persona. Menaxherja e barit dyshohet se është filmuar duke u larguar nga godina me kasafortën e parave në dorë, ndërsa zjarri përfshinte të gjithë ambientin.
Bëhet fjalë për Jessica Moretti, 40 vjeçe, bashkëpronare e lokalit së bashku me bashkëshortin e saj Jacques Moretti, 49 vjeç. Sipas mediave evropiane, ajo dyshohet se ka braktisur klientët dhe është larguar me të ardhurat e mbrëmjes, në një moment kur dhjetëra persona kërkonin ndihmë për t’u shpëtuar flakëve.
Autoritetet zvicerane kanë nisur një hetim penal formal ndaj çiftit, të cilët përballen me akuza për vrasje nga pakujdesia, plagosje nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia. Nuk përjashtohet ngritja e akuzave shtesë, përfshirë edhe mosdhënie ndihme personave në rrezik.
E përditshmja franceze Nice Matin raporton se pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë Morettin duke u larguar me arkën e barit, pavarësisht se kishte pësuar një dëmtim në krah. Edhe gazeta italiane La Repubblica shkruan se prioriteti i saj ishte shpëtimi i “arkës me të ardhurat e mbrëmjes”.
Ndërkohë, familjet e viktimave dhe të të plagosurve kanë depozituar padi penale në prokurorinë zvicerane. Avokati Romain Jordan konfirmoi se të gjitha familjet janë pranuar si palë paditëse, duke theksuar se padia është drejtuar “kundër të gjithë atyre që mbajnë përgjegjësi, pa përjashtim”.
Çifti Moretti akuzohet gjithashtu për shkatërrim provash, pasi dyshohet se kanë bllokuar llogaritë e barit në rrjetet sociale menjëherë pas shpërthimit të zjarrit. Sipas avokatit, faqet në Facebook dhe Instagram janë pezulluar mes orës 03:00 dhe 06:30, në një kohë kur operacionet e shpëtimit ishin ende në zhvillim.
Hetimet po përqendrohen edhe te punimet e rinovimit të vitit 2015, mes dyshimeve për shkelje të standardeve të sigurisë. Në fokus janë funksionimi i daljeve të emergjencës, aparatet kundër zjarrit dhe pajisjet e tjera të sigurisë. Një ish-kamariere ka deklaruar se dalja e emergjencës ka qenë vazhdimisht e mbyllur.
Zjarri konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e fundit të Zvicrës, duke shkaktuar një valë zie kombëtare. Autoritetet kanë njoftuar se gjatë kësaj jave do të mbahet një ditë zie kombëtare.


