Kuvendi i Shqipërisë ka rishpallur zyrtarisht procedurën për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, pas dorëheqjes së ish-anëtares Elsa Toska, e cila u largua nga detyra vitin e kaluar.
Sipas Kushtetutës, aplikimet e kandidatëve do të shqyrtohen fillimisht nga Komisioni i Ligjeve. Të gjithë të interesuarit kanë një afat njëmujor për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm. Më pas, kandidatët do të vlerësohen dhe renditen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED).
Në njoftimin zyrtar, Kuvendi thekson: “Rishpallet procedura e aplikimit për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të mbarimit të mandatit të ish-gjyqtares Elsa Toska.”
Për emërimin e anëtarit të ri, Parlamenti duhet të miratojë kandidaturën me një shumicë të cilësuar prej 84 votash.


