Sot, në 65-vjetorin e lindjes, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit kujtoi aktorin e shquar Xhevdet Ferri, një prej figurave më të dashura të kinematografisë dhe teatrit shqiptar.
Me një karrierë të pasur, role të paharrueshme dhe një prani të fortë që mbushte skenën dhe ekranin me ndjenjë, talent dhe finesë, Ferri mbetet një nga ikonat që kanë lënë gjurmë të thella në kulturën shqiptare.
“Publiku e kujton me mall, ndërsa arti shqiptar ka të gdhendur emrin e tij në historinë e vet. Sot e kujtojmë me respekt dhe mirënjohje artistin që na dhuroi emocione të vërteta dhe personazhe që jetojnë ende në kujtesën kolektive”, thekson Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në një postim në rrjetet sociale.
Xhevdet Ferri u nda nga jeta më 16 janar 2020, në moshën 59-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Gjatë karrierës së tij, interpretoi rreth 30 role në teatër dhe kinema, duke u bërë i njohur veçanërisht për ekranin e filmit.
Disa nga rolet më të njohura të tij përfshijnë:
Trimi në “Përrallë nga e kaluara” (1987)
Sako në “Dasma e Sakos” (1998)
Martini në “Treni niset në shtatë pa pesë” (1988)
Shoferi i kamionit në “Gjoleka – djali i Abazit” (2006)
Gjoni në “Vitet e pritjes” (1989)
Gori në “Dhe vjen një ditë” (1986)
Agroni në “Hije që mbeten pas” (1985)
Pal në “Besa e Kuqe” (1982)
Petriti në “Fushë e blertë, fushë e kuqe” (1984)
Astriti në “Gjurmë në kaltërsi” (1981)
Beni në “Era e ngrohtë e thellësive” (1982)
Interpretimi i tij i fundit ishte në filmin “Delegacioni” (2018). Xhevdet Ferri mbetet një nga emrat më të respektuar të artit shqiptar, duke lënë pas një trashëgimi të pasur dhe të paharrueshme për shikuesit.









