Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Forumin për Zgjerimin e BE-së në Komisionin Evropian, theksoi se dëshira e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian mbetet mjaft e fortë. Ai u referua një ankete të fundit, sipas së cilës 92% e qytetarëve janë pro anëtarësimit në BE.
Rama u ndal edhe tek 8% e të anketuarve që janë shprehur kundër, duke e relativizuar këtë përqindje me humor. Ai tha se këto përgjigje mund të jenë dhënë në momente të tensionuara personale, apo edhe për shkak të ankthit para ndeshjes Shqipëri–Serbi.
“Mos mendoni se 8% janë kundër BE-së,” tha Rama. “Ndoshta janë përgjigjur pas një grindjeje me bashkëshorten, pas orëve në trafik në Tiranë, ose pak minuta para ndeshjes kundër Serbisë. Nëse heqim këto faktorë, mbështetja është realisht 100%.”
Me këtë deklaratë, Rama theksoi edhe një herë se orientimi pro-evropian i shqiptarëve mbetet i palëkundur.


