Agjencia Kombëtare e Ushqimit (AKU) ka bërë të ditur se mandarinat e shitura në disa markete të Tiranës gjatë periudhës 23-27 tetor përmbanin sasi të larta të kimikateve të ndaluara, duke i bërë të pasigurta për konsum.
Analizat laboratorike të ISUV treguan se fruti ishte spërkatur me inseticidin perimiphos-metil, një preparat bujqësor që nuk lejohet të përdoret nga fermerët dhe nuk është pjesë e listës së produkteve të miratuara nga Ministria e Bujqësisë.
Për këtë arsye, qytetarët që kanë blerë mandarina gjatë kësaj periudhe janë të lutur t’i rikthejnë produktet pranë pikave të shitjes, duke përfituar kompensim financiar. Njoftimi zyrtar i AKU-s në marketet tiranase është formuluar kështu:
“JU NJOFTOJMË SE KLIENTËT QE KANE BLERE PRODUKTIN MANDARINE SIPAS INSPEKTORATIT AKU, KA DALE ME MBETJE PESTICIDESH. JU LUTEM NËSE KENI BLERE NGA DATA 23-27 TETOR, TA KTHENI TE SUBJEKTI YNE KUNDREJT PAGESËS.”
Autoritetet shtetërore nuk kanë bërë ende të ditur nëse mandarinat e kontaminuara janë produkt vendas apo import, ndërkohë që ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji gjatë vitit. Një rast i ngjashëm u regjistrua më parë në Kroaci, ku mandarinat e rrezikshme u asgjësuan menjëherë.
AKU dhe Ministria e Bujqësisë theksojnë se siguria e ushqimeve për konsumatorët është prioritet, ndërsa paralajmërojnë se do të vazhdojnë inspektimet për të parandaluar futjen në treg të produkteve të pasigurta.


