TIRANË– Organizata Drejtësi Sociale ka njoftuar se ditën e sotme do të mbahet një protestë përpara Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë, duke akuzuar Policinë e Shtetit për veprime të paligjshme në lidhje me konfiskimin dhe moskthimin e motomjeteve.
Qëndresa Qytetare ka njoftuar një protestë sot, në orën 10:00, përpara Policisë Rrugore në zonën e Kinostudios kundër sekuestrimit të monopatinave. Policia, me nisjen e aksionit për ndalimin e qarkullimit të këtyre mjeteve, sekuestroi disa monopatina të qytetarëve që shkelën rregullin.
Bazuar në atë që njofton organizata, sekuestrimi i këtyre monopatinave është bërë në shkelje të hapur të ligjit, cenon pronën private si dhe i ekspozon qytetarët përballë kostove financiare të padrejta.
“Me qindra monopatina u janë sekuestruar qytetarëve të Tiranës mbi bazën e një urdhri në rrjetet sociale për të cilin nuk ka asnjë shkresë zyrtare nga Ministria e Brendshme. Sekuestrimi i këtyre monopatinave është bërë në shkelje të hapur të ligjit, duke ekspozuar qytetarët përballë kostove financiare të padrejta dhe mbi të gjitha jemi në kushtet e cenimit të pronës private.
Të gjithë pronarët e motomjeteve, të gjendur para kësaj situate, nuk dinë më çfarë të bëjnë. Nëse mjeti yt është konfiskuar dhe po mbahet në mënyrë të paligjshme, të ftojmë të mblidhemi ditën e mërkurë, ora 10:00, para Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë për të kërkuar llogari mbi këtë aksion të paligjshëm“, njoftoi një ditë më parë Qëndresa Qytetare./Radar.al
PD kërkon shkarkimin e Presidentit, Bardhi: Ka 7 raste të rënda të shkeljes së Kushtetutës


