Mbi gjashtë orë zgjati sot raportimi maratonë në Kuvend i krerëve të drejtësisë shqiptare, përballë Komisionit të Ligjeve dhe atij të Mbikëqyrjes Institucionale.
I pari që raportoi ishte ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili u përplas me deputetët demokratë pas pyetjes nëse ishte “produkt i Soros”. Lamallari tha se gjatë studimeve jashtë vendit ishte mbështetur nga organizata ndërkombëtare, pasi nuk kishte përfituar fonde shtetërore ekselence.
Kryeprokurori Olsian Çela zbuloi se gjatë vitit 2024 janë përgjuar 2,159 persona, prej të cilëve 933 me autorizim gjykate, në kuadër të hetimeve penale. Ai kritikoi ashpër projektin e ri të Kodit Penal, duke e cilësuar “represiv” dhe pa nevojë reale shoqërore, ndërsa theksoi se sistemi prokurorial “ka humbur hierarkinë” dhe se prokurorët shpesh nuk kuptojnë rolin e tyre.
Seanca nuk i shpëtoi as humorit dhe batutave mes deputetëve të PD dhe kryetarit të Komisionit, Ulsi Manja, që e ktheu përplasjen në një “ping-pong” politik mes të qeshurash dhe ironie.


