Vetëm një muaj pas emërimit, administratori i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, Mentor Hajdaraj, ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga drejtimi i kompanisë VIA (Vlora International Airport), që menaxhon projektin strategjik të aeroportit.
Në letrën e dorëheqjes, Hajdaraj thekson se heq dorë nga çdo “përgjegjësi ligjore, financiare dhe morale” për çdo vendim apo veprim që mund të ndërmerret më tej nga kompania, duke sinjalizuar mosmarrëveshje të brendshme dhe mungesë besimi mes aksionarëve.
Hajdaraj ishte emëruar më 1 shtator nga kompania Mabco Construction SA, e kontrolluar nga biznesmeni Behgjet Pacolli, por largohet në vetëm 30 ditë, me motivin zyrtar “arsye personale” — një justifikim që duket i pamjaftueshëm, duke qenë se kjo dorëheqje vjen vetëm pak javë pas shkarkimit të Valon Llukës, bashkëpunëtorit më të afërt të Pacollit prej mbi 18 vitesh.
Burime të “Kapital” bëjnë me dije se kriza ka në thelb një përplasje të ashpër për ndarjen e aksioneve midis Pacollit dhe bashkëaksionerit Valon Ademi. Aktualisht, 98% e kapitalit të aeroportit zotërohet nga Pacolli, ndërsa 2% nga Ademi, i cili pretendon se ka të drejtë mbi 47% të aksioneve, për shkak të investimeve që ka kryer në projekt.
Sipas gazetës “Tema”, mes dy palëve ekziston një kontratë noteriale për këtë ndarje, nënshkruar dy vite më parë pas daljes së kompanisë turke YDA Group nga koncesioni, por që nuk është regjistruar në QKB. Pikërisht insistimi i Llukës për ta regjistruar këtë marrëveshje dyshohet se çoi në shkarkimin e tij të menjëhershëm.
Këto zhvillime po e pezullojnë pa afat ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, i cili duhej të hapej gjatë verës së kaluar. Konflikti për kontrollin e projektit po e kthen një investim strategjik kombëtar në një betejë biznesi, që rrezikon seriozisht transparencën dhe përfundimin e punimeve.


