Kanë hyrë zyrtarisht në fuqi tarifat për përdorimin e Tunelit të Llogarasë, duke bërë të mundur fillimin e pagesave nga përdoruesit e rrugës. Vendimi është formalizuar me një udhëzim të përbashkët të nënshkruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe ministri i Financave, Petrit Malaj.
Udhëzimi, i botuar në Fletoren Zyrtare, përcakton tarifat sipas pesë kategorive automjetesh, me çmime që variojnë nga 100 lekë për motoçikleta deri në 5 mijë lekë për automjetet e rënda si autobusët dhe kamionët me shumë rimorkio. Të gjitha tarifat përfshijnë TVSH-në.
Skema e tarifave sipas automjetit:
100 lekë: Motoçikleta dhe automjetet me dy rrota.
250 lekë: Makinat e pasagjerëve dhe automjetet e lehta të shpërndarjes (dy boshte, lartësi deri në 1.3 m).
500 lekë: Makinat e pasagjerëve me rimorkio ose karavan (më shumë se dy boshte, lartësi deri në 1.3 m).
1.000 lekë: Furgonët, minibusët dhe automjetet e mesme (dy ose më shumë boshte, lartësi mbi 1.3 m).
5.000 lekë: Automjetet e rënda me tri ose më shumë boshte, si autobusët dhe kamionët me rimorkio të mëdha (lartësi mbi 1.3 m).
Përdoruesit e rregullt do të mund të përfitojnë tarifa me parapagim, të cilat do të përcaktohen gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi.
Përjashtimet nga tarifa përfshijnë:
Policia Rrugore, autoambulancat dhe forcat zjarrfikëse.
Mjetet ushtarake dhe ato të NATO-s.
Automjetet e punonjësve të ARRSH-së ose Entit Kombëtar të Operimit Rrugor gjatë detyrës.
Personat me statusin e invalidit për përdorim personal të automjetit.
Përdorimi i tunelit është i ndaluar për transportin e mallrave të rrezikshme. Për zbatimin e tarifave dhe menaxhimin e tunelit janë ngarkuar Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Enti Kombëtar i Operimit Rrugor dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Ky vendim shënon fillimin e kalimit me pagesë në një nga akset më të rëndësishme inxhinierike dhe turistike të vendit.

