Prej gati dy muajsh, profesori i njohur italian Michele D’Angelo, 44 vjeç, ndodhet në burgun e Fierit pas një aksidenti rrugor të ndodhur më 8 gusht në aksin Levan–Fier. Mediat italiane paralajmërojnë se rasti mund të marrë përmasa ndërkombëtare.
D’Angelo, profesor biologjie në Universitetin e Aquila-s dhe një shkencëtar me famë globale, është arrestuar nga autoritetet shqiptare nën akuzën për shkelje të rregullave të qarkullimit dhe braktisje të mjetit.
Sipas raportimeve, përplasja ka ndodhur pasi një Mercedes i drejtuar nga një shtetas shqiptar, E.S., dyshohet se ka humbur kontrollin duke lëvizur me shpejtësi. Profesori po udhëtonte me rreth 40 km/orë dhe nuk ka mundur ta shmangë përplasjen.
Çështja ka ngjallur reagime të forta në Itali. Deputeti Luciano D’Alfonso i është drejtuar personalisht presidentit shqiptar Bajram Begaj, duke kërkuar ndërhyrje për kthimin e profesorit në Itali — kërkesë që mbështetet edhe nga kolegë universitarë të D’Angelos.
Mediat fqinje e cilësojnë çështjen si një rast që mund të tensionojë marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve nëse nuk zgjidhet me kujdes.


