Anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak të Tiranës do të mblidhen nesër në orën 17:00 në selinë e Partisë Socialiste, ku pritet të diskutohet procedura për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Kjo mbledhje vjen pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS-së, që Veliaj të shkarkohet për të hapur rrugën për zgjedhje të reja në kryeqytet. Veliaj ndodhet nën masën e arrestit me burg që nga 10 shkurt, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash nga SPAK.
Sipas hetimeve të SPAK, Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, dyshohet se kanë krijuar një mekanizëm për përfitime të parregullta nga fondet publike të Bashkisë Tiranë, me qëllim pasurimin personal dhe të familjes së tij.


