Fadel al Otol ndjek orë pas ore lajmet për qytetin e tij të Gazës ashtu si dhe shumë bashkatdhetarë të tjerë të tij. “Zemra më qan për Gazën. Unë nuk e di se çfarë e pret këtë qytet,” i tha arkeologu përmes telefonit nga Gjeneva DW-së.
Shpallet emergjenca e urisë në veri të Rripit të Gazës
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës të drejtuar nga Hamasi gjatë luftës aktuale në Gazë janë vrarë të paktën 63.500 palestinezë, disa mijëra të tjerë kanë mbetur të varrosur nën rrënoja.
Punonjës të organizatës së ndihmës si Shava thonë, se është bërë pothuajse e pamundur të japësh ndihmë: “Ne kemi mundësi fare të kufizuara për të ndihmuar, sepse atje janë kryesisht organizatat vendase joqeveritare.
Monitori global i Urisë (IPC) i mbështetur nga OKB-ja deklaroi në fund të gushtit, se në qytetin e Gazës po mbizotëron emergjenca e urisë “e shkaktuar tërësisht nga njeriu.”
Ndaj edhe evakuimi më këmbë do të jetë i vështirë veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe njerëzit me aftësi të kufizuara, për shkak të stërlodhjes dhe të paushqyerit mund të mos jenë fare në gjendje që të largohen.

Asnjë vend i sigurt në Gazë
Pothuajse e gjithë popullsia e Gazës dy vitet e fundit u dëbua, shumë madje janë dëbuar disa herë. “Sa u përket strehimeve, ne nuk mund të ofrojmë asgjë njerëzve”, thotë Shava. “Mijëra familje jetojnë thjesht në rrugë madje edhe pa çadra.”
Qoftë mjete transporti apo rezerva për të paguar qiranë – shumica e njerëzve nuk kanë më as të ardhura dhe as kursime. As Sham Mahmoud nuk ka asgjë: “Një banesë në jug të Rripit të Gazës, do të ishte e pamundur, sepse gjithçka është shtrenjtuar.” Nuk jemi më në gjendje të paguajmë as qiranë për një dhomë. Çmimet janë aktualisht të paktën 1000 Shekel izraelit (rreth 255 Euro) në muaj, thotë një grua.
Familja e saj nuk ka më asnjë opcion: “Fëmijët e mi kanë frikë, sidomos natën, për shkak të shpërthimeve. Por bombardime ka kudo, edhe në Jug”, thotë 30 vjeçarja. “Unë nuk dua të përballem me këtë rrezik jete.”
Mungesë shprese dhe lodhje
Se çfarë do të ndodhë me ata, që refuzojnë ose nuk ia dalin dot të largohen nga qyteti, është e paqartë. Disa njoftime të mediave izraelite lenë të kuptohet, se ata mund të konsiderohen si luftëtarë dhe kësisoj të vihen në shënjestër të sulmeve. Pas gati dy vjetësh luftë njerëzit i ka kapluar ndjesia e humbjes së shpresës dhe lodhja.
“Unë do të qëndroj në qytetin e Gazës sa më gjatë të jetë e mundur. Nuk dua më të jetoj në çadër. Bombardime ka kudo, askund nuk je i sigurt”, i thotë DW-së në telefon nga qyteti i Gazës, Ezzedine Mohammed. Edhe ai me familjen e tij në fillim të luftës u dëbua me dhunë në jug të Rripit të Gazës.
Ndihmësi Amjad Shava mendon ngjashëm: “Gaza është kthyer në një varrezë për më të dashurit tanë, për kujtimet dhe ëndrrat tona. Unë personalisht nuk do të heq dorë kurrë. Gaza është për mua Gaza”, thotë ai. “Por si do të jetë për brezin e ardhshëm? Këta fëmijë kanë përjetuar shumë vuajtje, që nuk do të duhej t’i kishin përjetuar kurrë.”
Për arkeologun Fadel al Otol nuk ka asnjë dilemë, që ai do të kthehet në atdhe. Por ai e di, që qyteti nuk do të jetë më ai që ka qenë më parë.” Gaza do të jetë një qytet i trishtë, edhe nëse do të rindërtohet”, thotë al Otol. “Gurët mund të risistemohen, por ndërtimi i një civilizimi kërkon shumë kohë.”/DW


