Policia e Mirditës ka finalizuar një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike, në kuadër të operacionit kombëtar të koduar “Koordinata”, që po zhvillohet në të gjithë territorin e vendit.
Gjatë kontrolleve të kryera në fshatin Shpërdhazë, njësia administrative Kaçinar, u zbulua një parcelë me 42 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Në vendngjarje, shërbimet e policisë arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar, shtetasin F. B., 59 vjeç, banues në Kurbin, i cili u kap duke u kujdesur për bimët.
Lënda narkotike u asgjësua me djegie, ndërsa një pjesë u sekuestrua si provë materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa policia thekson se operacioni “Koordinata” do të vijojë pa ndërprerje, me fokus identifikimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të kanabisit.


