Kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi se Mbretëria e Bashkuar do të evakuojë nga Gaza fëmijët që kanë nevojë për trajtim urgjent mjekësor, duke i sjellë ata në Britani për kujdes të specializuar.
Starmer i cilësoi “të pamëshirshme” skenat në Gaza dhe “tërësisht të pajustifikueshme” pengesat për ndihmën humanitare për fëmijët dhe foshnjat.
“Është një katastrofë humanitare dhe duhet të marrë fund,” theksoi ai, duke shtuar se Britania po punon me Jordaninë për të siguruar furnizime jetike dhe se do të përdoret çdo mundësi për të ofruar ndihmë.
Kryeministri britanik deklaroi se është i vendosur për njohjen e një shteti palestinez si pjesë e një zgjidhjeje me dy shtete, duke theksuar se njohja duhet të jetë pjesë e një plani më të gjerë për paqe të qëndrueshme në rajon.


