Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga aksioni për lirimin e hapësirave publike në zonën e Freskut në Tiranë, ku bizneset kanë nisur vetë çmontimin e strukturave që pengonin qarkullimin dhe cenonin sigurinë e qytetarëve.
“Edhe tek Fresku në Tiranë rikthehet ajri për komunitetin”, shkroi Rama në rrjetet sociale, duke nënvizuar se operacioni është pjesë e një fushate kombëtare.
Ky aksion po zbatohet në rrugë dhe lagje të ndryshme në Tiranë dhe bashki të tjera të vendit, në zbatim të urdhrit të dhënë nga Kryeministri për çlirimin e trotuareve, hapësirave të përbashkëta dhe plazheve publike nga ndërtimet dhe zëniet e paligjshme.
Qeveria e konsideron lirimin e hapësirave publike si një masë të domosdoshme për të përmirësuar cilësinë e jetës urbane dhe funksionimin e bizneseve në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes, jo vetëm në zonat turistike, por në çdo qytet të Shqipërisë.
Gjatë gjithë muajit korrik, ky proces do të jetë në fokus të bashkive dhe institucioneve shtetërore, me synimin për të rikthyer hapësirat në funksion të komunitetit dhe për të garantuar një bashkëjetesë më të rregullt urbane.


