Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me deputetët e Tiranës dhe drejtuesit vendorë të kryeqytetit, ku foli për vijimin e aksionit për lirimin e hapësirave publike në të gjithë vendin.
Ai paralajmëroi se vendosja e traëve në hyrje lagjesh për të mbledhur para nga banorët përbën vepër penale dhe se çdo akt që pengon lirinë e lëvizjes apo uzurpon hapësira publike, do të përballet me forcën e ligjit.
“Nëse dikush vendos një tra për të marrë para nga njerëzit që jetojnë aty, kryen vepër penale. Çdo lloj zënie apo bllokimi i rrugës që cënon jetën e përditshme të qytetarëve është vepër penale”, deklaroi Rama.
Ai theksoi gjithashtu se çdo hapësirë jashtë trupit të një pallati, përfshirë shkallët, tarracat apo trualli përreth, konsiderohet pronë e përbashkët sipas ligjit për bashkëpronësinë. Sipas tij, nuk mund të ketë pretendime individuale mbi këto zona, pasi ato i përkasin komunitetit të banorëve të godinës.
“Me ndërtimin e pallatit, pronari merr të drejtën përkatëse, por humb të drejtën mbi hapësirën përreth. Asnjë dokument nuk mund të legalizojë përvetësimin e kësaj prone të përbashkët,” u shpreh Rama.


