Hapësirat publike në plazhet e bregdetit të Durrësit po zgjerohen, falë aksioneve për lirimin e vijës bregdetare nga zaptimet e paligjshme.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga operacioni i fundit i ndërmarrë në zonën e Shkëmbit të Kavajës, duke e cilësuar atë si një hap në drejtim të rritjes së aksesit për qytetarët dhe turistët gjatë sezonit turistik.
“Shtohen hapësirat e plazheve publike në bregdetin e Durrësit, duke u ofruar qytetarëve dhe turistëve më shumë akses përgjatë pushimeve verore”, shkruan Rama në rrjetet sociale, ku ka shpërndarë edhe pamje nga terreni.
Ky aksion është pjesë e operacionit të gjerë veror për çlirimin e hapësirave publike në të gjithë vijën bregdetare, me qëllim respektimin e të drejtës së qytetarëve për të shijuar plazhet pa pengesa.


