TIRANË– Një ditë pasi u dekretuan nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dhe pasi u votuan në një seancë të jashtëzakonshme në Kuvend, pasditen e djeshme, ministrat e rinj të qeverisë, do të betohen në ambientet e Presidencës sot në orën 10:00.
Kujtojmë se Presidenti Begaj vendosi të dekretojë ndryshimet në Qeveri, 48 orë pas Kongresit të Partisë Socialiste më 28 Korrik. Begaj pas verifikimeve dekretoi shkarkimin e Taulant Ballës si ministër i Brendshëm dhe dekretoi emërimin e Ervin Hoxhës në këtë post. Hoxha mbante postin e kreut të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtes së Territorit.
Gjithashtu Begaj konfirmoi shkarkimin e Niko Peleshit si ministër i Mbrojtjes dhe dekretoi në këtë post Pirro Vëngun, ky i fundit më parë mbante detyrën e drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit.
Kreu i Shteti ndërkohë ka dekretuar edhe shkarkimin e Ervin Metes si ministër i Financave dhe emëroi në këtë post Petrit Malaj. Më parë Malaj ka mbajtur postin e kreut të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Begaj dekretoi gjithashtu shkarkimin e Elisa Spiropalit si ministre e Shtetit për Parlamentin dhe emërimin e Ballës në këtë post.
Dje menjëherë pas dekretimeve nga Begaj, Kuvendi u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme dhe miratoi ndryshimet e reja në qeveri. Seancë në të cilën nuk munguan tensionet nga opozita e cila kërkoi debat për ministrat e rinj të zgjedhur dhe emëruar në detyrë.
Dje në Kuvendin e Shqipërisë u miratua:
Niko Peleshi shkarkohet nga posti i Ministrit të Mbrojtjes – 78 pro, 2 abstenim asnjë kundër
Taulant Balla shkarkohet nga posti i Ministrit të Brendshëm – 84 vota pro, 2 kundër asnjë abstenim
Petrit Malaj emërohet Ministër i Financave – 77 pro, 2 abstenim. 14 kundër – Zëvendëson Ervin Mete
Pirro Vengu- Emërohet Ministër i Mbrojtjes – 77 vota pro, 2 abstenim, 13 kundër – Zëvendëson Niko Peleshin
Ervin Hoxha – Emërohet Ministër i Brendshëm – 76 vota pro, 2 abstenim, 11 kundër – Zëvendëson Taulant Ballën
Taulant Balla – Emërohet Ministër Shteti për Parlamentin – 78 vota pro, 9 kundër, asnjë abstenim – Zëvendëson Elisa Spiropalin
Bledi Çuçi – Zgjidhet nënkryetar i kuvendit, 77 vota pro, 9 kundër, 1 abstenim – Zëvendëson Ermonela Felaj.


