Danimarka po braktis politikën tradicionale të kursimeve për t’iu përgjigjur realiteteve të reja gjeopolitike me fokus te riarmatimi. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka paralajmëruar një ndryshim rrënjësor të kursit strategjik, duke e quajtur të domosdoshëm një orientim të ri drejt forcimit të mbrojtjes kombëtare dhe asaj evropiane.
“Në të kaluarën kemi qenë ndër vendet që promovonin kursimin në radhët e BE-së, por koha ka ndryshuar. Tani do të marrim rol udhëheqës në një fushë tjetër: atë të sigurisë dhe mbrojtjes”, deklaroi Frederiksen gjatë një konference për shtyp në Kopenhagen, ku ishte e pranishme edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Kryeministrja daneze nënvizoi se “riarmatimi i Evropës është thelbi i të gjitha problematikave”, duke theksuar se nëse kontinenti nuk është në gjendje të vetëmbrohet, atëherë çdo strategji tjetër mbetet e pavlefshme.
Duke iu referuar zhvillimeve të papritura në 7 vitet e fundit, ajo shtoi: “Askush nuk ka qenë në gjendje të parashikojë ngjarjet e fundit. Prandaj na nevojitet një bilanc i ri që t’i përgjigjet realisht sfidave të kohës”.
Nga 1 korriku, Danimarka do të marrë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, një detyrë që Frederiksen thotë se do ta përdorë për të shtyrë përpara axhendën e sigurisë dhe mbrojtjes në nivel evropian.
Përfshirja e Danimarkës në bllokun e vendeve “kursimtare” nuk i përshtatet më kontekstit aktual, sipas saj. “Nuk është më gjëja e duhur. Ne kemi një përgjegjësi më të madhe tani”, përfundoi kryeministrja.
Ky ndryshim politikash sinjalizon një Evropë që po zgjohet nga sfidat e reja të sigurisë dhe po pozicionohet më qartë në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme.


