Jemi brenda një paradoksi: ose Simone Inzagi largohet, ose rinovon deri në vitin 2027 me të gjitha ceremonitë që e shoqërojnë, foto, buzëqeshje, deklarata, përqafime e puthje. Ky është “tuneli” tepër i ngushtë dhe shumë i veçantë ku janë futur Interi dhe trajneri pas disfatës në Mynih, një tunel nga i cili, në një mënyrë apo në një tjetër, do të dalin deri sot, dita kur është caktuar takimi mes teknikut dhe drejtuesve zikaltër.
Është e drejtë të thuhet “deri sot”, sepse çdo orë që kalon, mund të jetë vendimtare për përfundimin e kësaj historie. Të dhënat pas turpërimit me PSGnë tregojnë një tundim të fortë nga ana e Inzagit për të lënë Interin dhe për të firmosur me Al Hilal. Kontrata është e gatshme, pret vetëm firmën. Disa thonë, edhe pse nuk ka konfirmime, se presidenti i klubit arab ishte i pranishëm në Mynih për finalen. Ajo që është e sigurt: oferta është në tryezë prej ditësh dhe është shumë joshëse – 25 milionë euro neto në vit për tri sezone.
SITUATA- Të dielën, Inzagi dhe drejtuesit e Interit kanë ngrënë mëngjes së bashku në Mynih, përpara se të ktheheshin në Milano. Ka qenë një rast për të thënë gjithçka që nuk shkoi mirë një natë më parë në fushë, por jo momenti për të folur për të ardhmen. Edhe ky, ndoshta, është një sinjal lamtumire? E vërteta është se loja është ende e hapur: ata që janë afër dhe ndjekin nga afër humorin e Inzagit, besojnë ende se ekziston një mundësi që ai të vendosë të qëndrojë në Milano. Ndoshta i shtyrë nga krenaria për rrugëtimin e bërë këtë sezon, që i ka sjellë Interit rreth 200 milionë euro nga shpërblimet e UEFA-s dhe të ardhurat. Ose ndoshta i ndikuar nga bashkëshortja e tij, Gaia Lukariello, për të cilën, sipas burimeve të mirinformuara, nuk është edhe aq e bindur të shkojë të jetojë në Riad. “Shkuam keq. Sot nuk kam shumë dëshirë për të folur. Kam qenë gjithmonë sportiv: humbja të dhembë, por e pranojmë”, ka deklaruar Inzagi publikisht, i afruar gjatë ditës nga “Striscia la Notizia” për “Tapiro d’Oro”, përpara se të mos përgjigjej fare kur iu bë pyetja direkte për Arabinë Saudite.
Por në këtë histori ka rëndësi edhe qëndrimi i Interit, qëndrim që nuk ka ndryshuar as dje dhe që mbetet ai i shprehur publikisht nga presidenti Marota në stadiumin “Allianz Arena”: “Nëse trajneri dëshiron të qëndrojë, nuk ka asnjë problem, përkundrazi, do të marrë edhe rinovimin e kontratës”. Sigurisht, është vështirë të besohet se do të ketë ndonjë rritje të ndjeshme të pagës aktuale, që është 6.5 milionë euro plus bonuse. Pra, aktualisht Interi është në pritje, spektatore në këtë situatë: topi është në këmbët e Inzagit. Dhe është e qartë se, nëse vendos të largohet, trajneri do të duhet të heqë dorë edhe nga viti i fundit i kontratës aktuale, një hap aspak i thjeshtë, as përballë një oferte marramendëse si ajo e Al Hilalit./PanoramaSport
“Pa e fut…”/ Laert Vasili zubulon si rezistoi 120 ditë pa kryer marrëdhënie s*ksuale: Vetshërbim


