Kandidati fitues në listën e Tiranës për partinë “Mundësia”, Erald Kapri, shpjegoi në emisionin “LOG.” se partia e tij nuk ka marrë vota nga PD-ja, por nga elektorati që beson te projekti i tyre politik. Me rreth 50 mijë vota në gjithë Shqipërinë dhe dy mandate në Tiranë, Kapri e sheh këtë si një rezultat premtues për të ardhmen, edhe pse larg pritshmërive fillestare.
“Ne nuk jemi pjesë e lojërave të vjetra politike dhe nuk do të bashkohemi në grup parlamentar me partitë e vogla, si PSD, ku kryetar është Tom Doshi. Jemi totalisht kundër,” tha Kapri, duke theksuar se votuesit e tyre janë të lodhur nga “llogaritë matematike” dhe duan një projekt të ri politik, larg PD-së dhe PS-së.
Ai shtoi se ka marrë urime edhe nga eksponentë të PS-së dhe PD-së për mandatin e dytë të “Mundësisë” në Tiranë, duke vënë në dukje se beteja për këtë mandat ka qenë e fortë mes dy partive kryesore, që tentuan ta merrnin për vete.
Kapri nënvizoi se në zonat urbane më të rëndësishme “Mundësia” ka arritur deri në 8% të votave, duke fituar mbështetje nga elektorate të ndryshme, si të majta ashtu edhe të djathta, që kërkojnë ndryshim real dhe shpresë për një të ardhme më të mirë.


