Një tjetër fazë e operacionit policor ndërkombëtar “The Wanted” është finalizuar me sukses, duke çuar në arrestimin në Pire, Greqi, të shtetasit shqiptar Ardian Ahmetaj, 51 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një krim të rëndë të ndodhur në Lushnjë në vitin 2019.
Ahmetaj akuzohet se, në bashkëpunim me Laert Haxhiun dhe Orgest Bilbilin, ka ekzekutuar me armë zjarri 40-vjeçarin Besnik Hida. Vrasja, me karakter mafioz, është një ndër ngjarjet më të rënda të viteve të fundit dhe lidhet me përplasjet mes grupeve kriminale në qarkun e Fierit.
Gjykata e Fierit, në vitin 2023, kishte caktuar ndaj Ardian Ahmetajt masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.
Strukturat e Policisë së Shtetit, përmes Interpol Tiranës, kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet greke për lokalizimin dhe kapjen e tij. Si rezultat i shkëmbimit në kohë reale të informacioneve mes dy palëve, Ahmetaj u lokalizua dhe arrestua në Pire me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën, për të përfunduar procedurat e ekstradimit të 51-vjeçarit, i konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe pjesëtar aktiv i një grupi kriminal.


