Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim elektoral me qytetarët e Burrelit në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, ku shprehu kënaqësinë që këtë herë nuk po bën fushatë duke premtuar përfundimin e rrugës së Arbrit, por duke udhëtuar tashmë nëpër të.
“Jam realisht i lehtësuar që nuk po bëjmë një tjetër fushatë duke premtuar mbarimin e rrugës së Arbrit, por po vijmë këtu përmes saj,” tha Rama, duke e quajtur këtë një moment historik për zonën.
Ai premtoi se deri në fund të vitit do të përfundojë edhe rruga e Lurës, ndërsa për mandatin e katërt paralajmëroi ndërtimin e rrugës Burrel–Ulëz, të cilën e konsideroi të rëndësishme për zhvillimin turistik dhe ekonomik të zonës.
Në një batutë me kandidatin lokal Agron Goci, Rama tha me humor se nuk pinë kafe për shkak të shpenzimeve të fushatës, por u mjaftuan me një gotë ujë.
“Tha: çfarë kisha për të bërë, bëra më të mirën. Tani ka mbetur rruga Skuraj-Burrel. I thashë: sa kilometra është? Vetëm 36, më tha. I thashë: kjo është rruga e dytë e Arbrit!” – u shpreh Rama, duke shtuar me ironi se disa e duan që rruga të mos bëhet, për të kujtuar se si ishte e si u bë.


