Tirana u kthye këtë të shtunë në një pikë takimi ndërkombëtare për promovimin e dhurimit vullnetar të gjakut. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të 75-vjetorit të Federatës Ndërkombëtare të Organizatave të Dhurimit të Gjakut, një rrjet që përfshin 82 vende në mbarë botën.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues dhe vullnetarë nga rreth 15 shtete, mes tyre Monako, Algjeria, Italia, Franca, Spanja, Danimarka dhe Portugalia. Organizimi i këtij përvjetori për herë të parë në Shqipëri u vlerësua si një dëshmi e progresit që vendi ka bërë ndër vite në promovimin e dhurimit vullnetar të gjakut.
Presidenti i Federatës e cilësoi Shqipërinë si një model të suksesshëm për vendet e tjera, duke vlerësuar punën e bërë nga institucionet dhe organizatat vendase në këtë fushë.
“Ne vlerësojmë se Shqipëria përfaqëson një model të shkëlqyer në fushën e dhurimit vullnetar të gjakut dhe besojmë se ky model mund të shërbejë si shembull edhe për shumë vende të tjera. Gjatë vizitës sonë në qendrën e transfuzionit të gjakut, pamë nga afër një punë të jashtëzakonshme dhe për këtë dëshirojmë të përgëzojmë si stafin, ashtu edhe drejtoreshën e qendrës, si dhe organizatën përkatëse në Shqipëri. Në veçanti, vlerësojmë kontributin e zotit Natale, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer. Prania jonë këtu synon pikërisht promovimin e këtij modeli pozitiv që Shqipëria përfaqëson”, thotë Sayah Abdelmalek, Presidenti i Federatës.
Nga ana e tij, Natale Capodicasa nga Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, theksoi rëndësinë jetike të dhurimit. Ai tha se është një proces me përfitime të dyfishta, pasi ndihmon në monitorimin e shëndetit të dhuruesit dhe shpëton jetë.
“Është shumë e rëndësishme të kuptohet se gjaku nuk prodhohet në laborator, por merret vetëm nga njeriu. Kjo do të thotë se përmes dhurimit të gjakut ne mund të ndihmojmë persona që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, si talasemia, rastet e aksidenteve rrugore apo probleme të tjera shëndetësore, si anemia, ku gjaku është jetik. Nga ana tjetër, dhurimi i gjakut është edhe një akt i madh humanizmi dhe dashurie. Ai jo vetëm që ndihmon të tjerët, por është i dobishëm edhe për vetë dhuruesin, pasi gjatë procesit kryhen analiza që ndihmojnë në kontrollin e gjendjes shëndetësore”, shprehet ajo.
Në aktivitet ishte e pranishme edhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Irena Qendro, e cila bëri apel për më shumë ndërgjegjësim dhe angazhim qytetar në dhurimin e gjakut.
Ndër vite, Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ka zhvilluar një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese në të gjithë vendin. Të dhënat tregojnë se dhurimi vullnetar ka shënuar rritje të ndjeshme, nga 5% në vitin 2004 në 27% në vitin 2025, ndërsa synimi mbetet rritja e mëtejshme e kësaj përqindjeje.
Nisma si “Flaka e dashurisë dhe e solidaritetit” vijojnë të përçojnë mesazhin e humanizmit dhe ndihmës për ata që kanë më shumë nevojë, duke e kthyer dhurimin e gjakut në një akt të rëndësishëm solidariteti shoqëror.

