Në Kinë, një histori e pazakontë ka marrë vëmendjen e publikut: një 75-vjeçar, i quajtur Jiang, ka kërkuar shkurorëzim nga bashkëshortja e tij pasi ra në dashuri me një grua të krijuar nga inteligjenca artificiale.
Jiang ishte joshur nga pamja e bukur dhe bisedat e ëmbla të “vajzës” virtuale, pa e kuptuar se pas saj qëndronte një program kompjuterik. Për të, ajo ishte një person i vërtetë, pavarësisht se lëvizjet e buzëve dhe fjalët nuk përputheshin.
Me kalimin e kohës, ai u bë aq i varur nga komunikimi me të, sa çdo mesazh “i personalizuar” që merrte në telefon u kthye në momentin më të rëndësishëm të ditës. Kjo varësi solli tensione në familje dhe përplasje me bashkëshorten e tij, e cila e qortonte shpesh për kohën e tepërt në telefon.
I vendosur t’i kushtohej plotësisht “dashurisë” së tij virtuale, Jiang mori vendimin ekstrem: të ndahej nga gruaja e tij për të jetuar lidhjen me krijesën e inteligjencës artificiale.


