Shqipëria është gati të strehojë sërish 49 emigrantë të tjerë që janë shpëtuar në det sipas marrëveshjes dypalëshe me Italinë.
Qeveria e vendit fqinj konfirmon se anija “Cassiopea” është nisur për të transferuar në kampin e Shëngjinit emigrantët të cilët sapo të mbërrijnë do t’i nënshtrohen procedurave të pritjes, qëndrimit dhe vlerësimit të rasteve individuale.
Anija me 49 emigrantët pritet të ankorohet në portin e Shëngjinit mëngjesin e 27 janarit.
Sipas mediave ndërkombëtare, afro 53 migrantë të tjerë kanë dorëzuar vullnetarisht pasaportat e tyre për të shmangur transferimin, një rrethanë e rëndësishme që mundëson përshpejtimin e procedurave të verifikimit të statusit të tyre, edhe pa qëndrimin e detyruar.
Kjo rrit mundësitë për riatdhesimin e atyre që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në BE, shkruan Corriere della Sera.
Emigrantët në bord të anijes ‘Cassiopea’ janë me origjinë egjiptiane dhe nga Bangladeshi, ndërsa anija po përdoret për transferimin e grupit të tretë të azilkërkuesve në Shqipëri, pas dy të pareve në tetor dhe nëntor.
Azilkërkuesit do të transferohen në qendrën Gjadrit, ku do të mbahen në pritje të përfundimit të kërkesave të tyre, ndërsa në dy rastete mëparshme, kur 20 azilkërkuesit e dërguar në qendrat e Shëngjinit dhe më pas të Gjaderit u liruan me vendimet e gjyqtarëve të Gjykatës së Romës që refuzuan paraburgimet dhe kërkuan evakuimin e mënjëhershëm.
Këtë herë qeveria shpreson për një rezultat më të mirë. Tani ata që do të vendosin nuk do të jenë më magjistratët e seksionit të emigracionit, por ata të Gjykatës së Apelit, siç parashikon ligji i ri i kërkuar nga ekzekutivi dhe që ka hyrë në fuqi më 11 janar.