Site icon Informohu siç duhet

48-vjeçari shantazhohet me video intime: Më kërkojnë para çdo muaj, nuk kam më fuqi të jetoj

Shantazhe online/ Nga burgu i Francës përndiqte dhe denigronte 63 femra në rrjete sociale. Identifikohet autori

Një 48-vjeçar nga Thumana ka rënë viktimë e një skeme shantazhi seksual online, pas një njohjeje virtuale që përfundoi në kërcënime për publikimin e materialeve intime.

Ngjarja nisi me një bisedë në rrjetin social Messenger, ku një grua që u prezantua si 38-vjeçare nga Elbasani, i dërgoi mesazhe miqësore, të cilat më pas u shndërruan në shkëmbim videosh intime. Pavarësisht se i kishte rrëfyer se ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve, ajo e nxiti të dërgonte një video personale.

“Për të më lënë rehat, i dërgova një video intime timen. Më pas gjithçka ndryshoi. Filluan kërcënimet,” rrëfen 48-vjeçari. Ai tregon se prej atij momenti është kërcënuar vazhdimisht me publikimin e videos në rrjetet sociale dhe shpërndarjen e saj te të afërmit dhe miqtë.

Deri më sot, ai ka paguar 400 euro për të shmangur ekspozimin, ndërsa shantazhistët i kërkojnë edhe 200 euro të tjera çdo muaj, me pretekstin se “paratë duhen për motrën e sëmurë”. Pagesat janë kryer përmes shërbimeve të transfertave ndërkombëtare, ndërsa kontakti ka një numër me prefiksin +22, që i përket Bregut të Fildishtë në Afrikën Perëndimore.

Për shkak se telefoni është i vetmi me akses në internet në familje, viktima ka fshirë bisedat në Messenger nga frika se mund të zbuloheshin nga bashkëshortja dhe fëmijët. Por mesazhet kërcënuese vijojnë çdo ditë në WhatsApp.

“Kam qenë shembull në familje dhe në fshat. Tani nuk fle dot, nuk ha dot, hyj në banjë dhe qaj me zë. Kam shumë frikë, por nuk kam më para,” shprehet ai i tronditur.

Pas kontaktit me gazetarët e “Fiks Fare”, ai ka bërë kallëzim pranë Seksionit për Krimin Kibernetik në Policinë e Tiranës. Autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe ndalimin e përhapjes së përmbajtjes intime.

Exit mobile version