Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se takimi i tij me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë ishte “shumë produktiv”, megjithatë nuk u arrit një marrëveshje për përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Takimi, i zhvilluar në bazën ushtarake Elmendorf dhe që zgjati gati tre orë, përfshiu edhe sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio dhe të dërguarin e posaçëm Steve Witkoff nga pala amerikane, ndërsa Putinin e shoqëruan ministri i Jashtëm Sergei Lavrov dhe këshilltari Yuri Ushakov.
Trump tha se me Putinin kanë rënë dakord për disa çështje, por jo për atë “më të rëndësishmen”, duke mos e specifikuar nëse bëhej fjalë për një armëpushim. Ai shtoi se ka gjasa të mira që palët të arrijnë një marrëveshje në të ardhmen e afërt.
Nga ana e tij, Putin e cilësoi takimin si “konstruktiv” dhe nënvizoi se Moska është “sinqerisht e interesuar që konflikti të marrë fund”.
Trump konfirmoi se pret ta takojë sërish Putinin shumë shpejt.


