SPAK ka dërguar në laborator për ekspertim kasetën e dorëzuar pak javë më parë, e cila sipas familjareve të Aleks Nikës, një nga katër të vrarët në bulevard, tregon se vrasjet janë krim shtetëror dhe janë kryer me urdhër.
Në materialin audio dëgjohet Ndrea Prendi, komandanti i atëhershëm i gardës, që jep urdhër të hapet zjarr luftarak mbi protestuesit, pra jo më plumba manovër.
Audio regjistrimi që flitet se është 34 minuta është bërë nga një person që ka pasur akses në komunikimin e një kanali të konsideruar të sigurt që përdorej nga drejtues të lartë të Gardës, i cili ka regjistruar komandat dhe urdhrat e dhëna në momentet kur u vranë 4 protestuesit e paarmatosur para kryeministrisë të drejtuar nga Sali Berisha në atë kohë. Regjistrimi i këtij komunikimi të brendshëm është bërë me një diktofon dhe pas 13 vitesh nga protesta e 21 janarit 2011, kaseta origjinale u dorëzua në SPAK.
Kaseta është duke u ekspertuar fillimisht në laboratorin e SPAK, i cili do të përcaktojë edhe autenticitetin e saj, dhe më pas do të bëhet krahasimi i zërave që janë në audio për të përcaktuar edhe shkencërisht, se kujt i përkasin.
Nëse ky ekspertim nuk mund të kryhet nga SPAK, do të kërkohet edhe ndihma e laboratorëve të tjerë të fuqishëm jashtë vendit.
Regjistrimi i komunikimeve konsiderohet një provë e re për procesin, ndërsa ende nuk është mësuar se kush ka qenë personi që ka regjistruar urdhrat në këtë kanal sekret, që përdorej nga një rreth i ngushtë personash./Shqiptarja.com

