TIRANË– Ditën e sotme, gazetari investigativ, Artan Hoxha është paraqitur në SPAK. Bëhet me dije se ai është thirrur për dosjen e 21 Janarit.
Pritet që Artan Hoxha të japë sqarime sa i takon materialit audio, ku shfaqen komunikimet e punonjësve te Gardës, para dhe pas protestës se 21 Janarit.
Vetëm pak muaj më parë, Gjykata e Lartë vendosi që ‘21 janari’ të hetohet nga SPAK, i cili është i detyruar të regjistrojë procedimin.
Ky është urdhri i Gjykatës së Lartë, e cila pranoi kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, që krimi shtetëror i para 13 viteve të mund të shohë zbardhjen e plotë.
Kujtojmë se në 21 Janar të 2011, Edi Rama, aso kohe Kreu i Partisë Socialiste të opozitës, drejtonte një demonstratë kundër qeverisë së kohës, të kryesuar nga politikani i Partisë Demokratike Sali Berisha, përpara kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë. Protesta u thirr nga Partia Socialiste pasi u shfaq një video që implikonte ministrin e Jashtëm të atëhershëm Ilir Meta në aktivitete korruptive – duke e treguar atë teksa diskutonte se si të përfitonte nga një tender publik.

