TIRANA- Viti 2025 ka nisur me një rënie të mëtejshme të normave të interesit në tregun financiar. Normat e ulëta të interesit po mbështesin një rritje dyshifrore të kreditimit, pavarësisht paralajmërimeve të Bankës së Shqipërisë, veçanërisht lidhur me ekspozimin në kredinë për pasuri të paluajtshme.
Tremujori i parë i këtij viti ka sjellë një tendencë të mëtejshme në rënie të normave të interesit në tregun financiar. Për Lekun, kjo rënie është e nxitur sidomos nga yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare, që janë një hallkë thelbësore edhe në përcaktimin e çmimit të huasë në monedhën vendase edhe për sektorin privat.
Për Euron, rënia po përcaktohet kryesisht nga lehtësimi i vazhdueshëm i politikës monetare nga Banka Qendrore Europiane, që është reflektuar në uljen e normave të interesit në tregje, duke përfshirë treguesin kryesor benchmark, Euriborin. Ulja e mëtejshme e normave të interesit po ndikon në ruajtjen e ritmeve të larta të kreditimit të ekonomisë, që po rritet me ritmet më të shpejta në 16 vitet e fundit.
Sektori bankar ndodhet në një cikël të favorshëm. Rritja e normave të interesit pas vitit 2022 ka ndikuar në rritjen e përfitueshmërisë dhe kapitalizimit të sektorit, duke rritur edhe oreksin për rrezik. Nga ana tjetër, cilësia e aktiveve është në nivelet më të mira në 16 vjet, megjithëse rënia e raportit të kredive me probleme është ngadalësuar në 2024, sidomos po të kemi parasysh ritmet e rritjes së kreditimit.
Yield-et e bonove, poshtë normës bazë
Yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë e kanë thelluar më tej rënien në tremujorin e parë të këtij viti. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore në ankandin e fundit të muajit mars zbriti në 2.7%, duke rënë për herë të dytë në histori poshtë nivelit të normës bazë të interesit. Krahasuar me një vit më parë, yield-i i këtyre instrumenteve ka rënë me gati një pikë përqindje, ndërkohë që norma bazë për të njëjtin horizont kohor është ulur me 0.5 pikë përqindje.
Madje, edhe yield-et e obligacioneve 2-vjeçare në ankandin e zhvilluar javën e kaluar ranë shumë afër normës bazë, në nivelin 2.85%. Një tendencë e ngjashme po shfaqet në të gjitha instrumentet, deri në ato afatgjata. Yield-i i obligacioneve 15-vjeçare në ankandin e fundit zbriti në 5.59%, nga 6.41% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm të këtyre instrumenteve, që ishte zhvilluar në nëntor 2024.
Yield-i i këtyre instrumenteve ka rënë për të pestin ankand radhazi dhe ka prekur nivelin më të ulët historik. Krahasuar me një vit më parë, yield-i i këtyre instrumenteve ka shënuar rënie të fortë me 2.35 pikë përqindje. Megjithëse pritej që yield-et të shënonin rritje të lehtë në tremujorin e parë të vitit, edhe për shkak të rritjes sezonale të kërkesës për financim nga qeveria në tregun e brendshëm financiar, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Madje, yield-et kanë rënë në nivele relative të paprecedenta më parë, të vlerësuara në raport me normën bazë të interesit.
Që prej vitit të kaluar, yield-et po ndjekin një tendencë në rënie dhe marzhi mbi normën bazë të interesit po thyen rekorde historike në rënie. Sipas ekspertëve, kjo mund të shpjegohet me likuiditetin e lartë në treg, tkurrjen e kërkesës për financim nga qeveria në tregun e brendshëm financiar, rënien e pritshmërive inflacioniste, por edhe një perceptimi më të ulët të rrezikut rreth titujve të borxhit publik.
Pjesërisht, kërkesa është nxitur edhe nga pjesëmarrja e investitorëve jorezidentë. Shuma e investuar prej tyre (14.4 miliardë lekë) përbënte 29% të shtesës së huamarrjes së brendshme për vitin 2024. Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave, në fund të vitit 2024 borxhi publik zbriti në 54.73% të PBB-së, në rënie të mëtejshme nga niveli prej 57.5% i një viti më parë. Që nga viti 2021, borxhi publik ka rënë me pothuajse 20 pikë përqindje ndaj PBB-së.
Rënia e këtij raporti i detyrohet sidomos forcimit të Lekut në kursin e këmbimit, por pjesërisht edhe uljes së deficitit buxhetor në vitet e fundit dhe rritjes së kënaqshme ekonomike. Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar për tremujorin e parë të vitit parashikohej në vlerën e 132.5 miliardë lekëve, në rënie me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa për tremujorin e dytë të vitit, shuma e planifikuar e huamarrjes do të ulet me 5.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kërkesa më e pakët e qeverisë për huamarrje pritet të mbajë të kufizuara presionet për rritjen e yield-eve në tregun e brendshëm financiar. Rënia e yield-eve nuk përcakton vetëm një kosto më të ulët të huamarrjes për qeverinë, por përcillet edhe në norma më të ulëta interesi për kredinë dhënë sektorit privat, duke qenë se yield-et e titujve qeveritarë janë instrumenti benchmark mbi të cilin ndërtohen normat e interesit të kredive afatgjata në lekë.
Në muajin shkurt, Shqipëria realizoi emetimin e Eurobondit 10-vjeçar në Bursën e Londrës. Shteti shqiptar emetoi Eurobonde 10-vjeçare për një vlerë totale prej 650 milionë eurosh, me një yield prej 5%. Kërkesa për Eurobondet shqiptare e paraqitur nga investitorët ka qenë shumë e lartë dhe arriti shumën totale të 3.7 miliardë eurove. Fillimisht, Ministria e Financave pati hyrë në proces me një yield indikativ fillestar prej 5.5%, por kërkesa e madhe e tregut ka favorizuar një yield më të ulët se pritshmëritë.
Emetimi ishte Eurobondi i dytë me maturim 10-vjeçar i qeverisë shqiptare, pas atij të vitit 2021. Edhe në vitin 2021 shuma e huasë kishte qenë 650 milionë euro. Yield-i pati rezultuar më i ulët, me 3.75%, por normat e interesit në tregjet ndërkombëtare në atë kohë ishin më të ulëta. Procesi u zhvillua në nëntor 2021, para fillimit të valës inflacioniste dhe nisjes së ciklit rritës së normave të interesit nga bankat qendrore. Norma bazë e Bankës Qendrore Europiane për Euron në atë periudhë ishte ende 0 (norma e depozitave -0.5%).
Kthimi i normave të interesit në kahun rënës e ka shtyrë Ministrinë e Financave t’i rikthehet afatit 10-vjeçar të maturimit, pasi në emetimin e fundit, të vitit 2023, doli me ofertë për një Eurobond 5-vjeçar. Në përgjithësi, në emetimet e fundit, investitorët e tregjeve financiare kanë shfaqur kërkesë të lartë për Eurobondet shqiptare, që duket se ofrojnë një raport të kënaqshëm mes përfitimeve dhe rreziqeve.
Eurobondi prej 650 milionë eurosh do të shërbejë pjesërisht për të mbuluar deficitin buxhetor të parashikuar për vitin 2025 dhe pjesërisht për të rifinancuar Eurobondin e emetuar në 2018. Mbulimi i një pjese të deficitit të brendshëm me huamarrje të jashtme ndikon në uljen e kërkesës së qeverisë për financim të tregun e brendshëm financiar, duke ushtruar presione rënëse mbi yield-et.
S&P përmirëson përsëri vlerësimin e borxhit sovran
Përmirësimi i treguesve fiskalë po sjell edhe një përmirësim të vlerësimit të borxhit sovran të vendit nga agjencitë e specializuara. Në muajin mars, agjencia e vlerësimit “S&P Global Ratings” përmirësoi për herë të dytë në dy vjet vlerësimin afatgjatë të borxhit sovran, nga “BB-” në “BB”, me perspektivë të qëndrueshme. Sipas S&P, Investimet e Huaja Direkte, remitancat dhe rritja e shpejtë e eksporteve të shërbimeve mbështesin perspektivën e qëndrueshme të ekonomisë së Shqipërisë, pavarësisht tensioneve të pranishme gjeopolitike dhe pasigurive të lidhura me mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në muajin maj të këtij viti.
S&P parashikon që ekonomia shqiptare do të ruajë rritje vjetore sipër nivelit të 3% në një horizont parashikimi afatmesëm. Megjithatë, agjencia thekson se ekonomia shqiptare vazhdon të përballet me sfida strukturore, si tkurrja e forcës së punës, emigracioni i vazhdueshëm dhe varësia në rritja nga turizmi. Në mars 2024, agjencia e vlerësimit “S&P Global Ratings” (Standard&Poor’s) e përmirësoi për herë të parë vlerësimin afatgjatë të borxhit sovran të Shqipërisë nga B+ në BB-. Në tetor 2024, edhe agjencia tjetër Moody’s e përmirësoi vlerësimin nga Ba1 në Ba3.
Shqetësimi për luftën tregtare, BSH mban normën bazë në 2.75%
Në mbledhjen e datës 26 mars, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.75%, pavarësisht se inflacioni ka shfaqur një tendencë të mëtejshme rënëse në muajt e parë të 2025. Megjithatë, Guvernatori Sejko tha se rënia e inflacionit në 1.9% në dy muajt e parë të vitit u diktua nga ecuria e çmimeve të ushqimeve të papërpunuara dhe ulja e çmimit të energjisë për konsum familjar. Nga ana tjetër, inflacioni i çmimeve të artikujve të tjerë të shportës së konsumit ishte relativisht i qëndrueshëm.
Sipas të dhënave të INSTAT, punësimi në tremujorin e katërt shënoi një rritje vjetore prej 1.8%, ndërsa pagat në sektorin privat u rritën me 9.5%. Në të njëjtën kohë, norma mesatare e papunësisë gjatë vitit 2024 zbriti në 8.5%, kundrejt nivelit 9.5% të shënuar gjatë vitit 2023.
Sejko theksoi edhe një herë se rritja e punësimit dhe e pagave ndihmon zgjerimin e të ardhurave familjare, por ajo tenton gjithashtu të transmetohet në rritje të kostove të punës dhe të çmimeve të konsumit. Banka e Shqipërisë duket se hezitoi të ndërmarrë një lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare, edhe duke pasur parasysh pasiguritë që përcjell mjedisi i jashtëm.
Në veçanti, lufta tregtare që ka nisur Presidenti amerikan, Donald Trump, duke paralajmëruar tarifa doganore me partnerët kryesorë tregtarë, ka krijuar shqetësim për goditje të mundshme inflacioniste në krahun e ofertës. Nga ana tjetër, vendimi për të qenë më të kujdesshëm, me një ulje të mëtejshme të normës bazë lidhet edhe me pritshmëritë për një kurs më të qëndrueshëm këmbimi gjatë këtij viti.
Forcimi i Lekut ka qenë një faktor me ndikim të konsiderueshëm në uljen e inflacionit të importuar dhe Banka e Shqipërisë nuk pret që mbiçmimi i monedhës vendase të vazhdojë me ritme të krahasueshme me dy vitet e mëparshme.
“Në skenarin bazë, inflacioni pritet të kthehet gradualisht pranë objektivit gjatë vitit 2025. Ky parashikim faktorizon pritjet tona për një ecuri më të balancuar të kërkesës dhe ofertës agregate për mallra e shërbime, një qëndrueshmëri më të lartë të kursit të këmbimit, si dhe për rënie të mëtejshme të inflacionit në partnerët tanë tregtarë.
Paralelisht me të, ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit në afatin e mesëm. Balanca e rreziqeve rreth këtyre parashikimeve paraqitet, për momentin, neutrale. Megjithatë, tensioni i lartë gjeopolitik dhe rritja e mundshme e barrierave e tarifave tregtare mund të sjellin një goditje oferte me pasoja potenciale negative në rritjen ekonomike dhe inflacion”, thuhet në deklaratën e fundit të Këshillit Mbikëqyrës.
Rënia e interesave ka “rizgjuar” kreditimin në Euro
Normat e interesit po ndjekin një cikël të ri në rënie edhe për monedhën europiane. Në mesin e vitit 2024, Banka Qendrore Europiane nisi uljen e normave të interesit, pas një cikli dyvjeçar në rritje. Kjo ka ulur rrjedhimisht edhe normat e interesit të Euros në tregjet financiare, duke përfshirë treguesin benchmark që përdoret për indeksimin e huave në monedhën europiane, Euriborin.
Në fund të muajit mars, Euribori 12-mujor ishte në nivelin 2.37%, nga 3.7% që kishte qenë një vit më parë. Ulja e Euriborit reflektohet automatikisht në normat e interesit të kredive me interesa të ndryshueshme në euro. Norma e interesit të depozitave ditore ka zbritur në 2.5%, ndërsa ajo e instrumenteve bazë të rifinancimit në 2.65%.
Pritshmëritë e analistëve janë për një ulje të mëtejshme të normave të interesit këtë vit, që do të reflektohet në një ulje të mëtejshme të çmimit të kredisë në monedhën europiane. Kjo krijon premisa për rritje të mëtejshme të kredisë në Euro nga sektori bankar shqiptar, duke ndjekur një cikël mjaft të pozitiv të huadhënies në ekonominë vendase.
Pas mbledhjes së fundit të Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori Sejko tha se kredia për sektorin privat ka vijuar të rritet me ritme të shpejta, mesatarisht 16.7% gjatë dy muajve të parë të vitit, duke shfaqur në të njëjtën kohë një shpërndarje të mirë sektoriale dhe një cilësi të mirë portofoli.
Por, një zhvillim specifik i dy tremujorëve të fundit, sipas tij, ka qenë riaktivizimi i kreditimit në valutë, si pasojë e uljes së normave të interesit në tregjet evropiane dhe i rritjes së shpejtë të kredisë akorduar bizneseve për investime. Kjo e fundit shënoi një rritje mesatare prej 20% në dy muajt e parë të vitit, duke mbështetur rritjen e kapaciteteve prodhuese.
Normat e interesit të kredive për shtëpi, në nivelin më të ulët në dy vjet
Normat e interesit të kredisë për shtëpi paraqiten në rënie, duke mbështetur zgjerimin e kreditimit në këtë segment. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në Lek në janar të këtij viti ra në 4.42%, nga 4.65% që kishte qenë një vit më parë. Gjithashtu, norma mesatare e interesit të kredive për shtëpi në dy muajt e fundit të 2024 ishte më e ulëta që prej tetorit të vitit 2022.
Vitin e kaluar, inflacioni pësoi rënie të ndjeshme, duke sjellë një ndryshim të kursit të politikës monetare dhe uljen e normës bazë të interesit dy herë gjatë vitit, deri në nivelin 2.75%. Ulja e normës bazë, por edhe gjendja e lartë e likuiditetit në treg u përcollën edhe në yield-et e titujve të qeverisë shqiptare dhe më tej, në normat e interesit të kredisë për sektorin privat.
Ndërkohë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash në Euro për janarin ishte 5.23%, në nivele të përafërta me një vit më parë. Diferenca mes normës mesatare të interesit për kreditë në Euro dhe ato në Lek në janar arriti në 0.81 pikë përqindje, duke u thelluar krahasuar me nivelin prej 0.54 pikë përqindje të një viti më parë. Vlera e portofolit aktiv ose tepricës së kredisë për shtëpi në fund të vitit 2024 arriti në pothuajse 208.7 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 15.5%. Ritmet e rritjes të portofolit të kredisë janë rritur ndjeshëm krahasuar me nivelin prej 6.3% të vitit të mëparshëm.
Frenojnë edhe interesat e depozitave
Normat e interesit të depozitave me afat në Lek e mbyllën në rënie vitin e kaluar. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për depozitat e reja në dhjetor 2024 zbriti në 1.62%, nga 1.64% në fund të vitit 2023. Në muajin janar të këtij viti, interesi mesatar i depozitave u rrit lehtë në 1.69%, por luhatjet aftashkurtra janë të përcaktuara kryesisht nga konkurrenca në sektorin bankar, ku në veçanti disa banka të përmasave të mesme janë shfaqur agresive për të shtuar depozitat, në funksion të zgjerimit të aseteve dhe kryesisht huadhënies.
Interesat e depozitave vitin e kaluar në përgjithësi kanë ndjekur lëvizjet e normës bazë të interesit dhe normat e interesit në segmentet e tjera të tregut, sidomos të yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë. Ndërkohë, edhe interesat e depozitave në Euro vitin e kaluar kanë ngelur në nivele pak a shumë të qëndrueshme, ndjeshëm më të ulëta krahasuar me depozitat në Lek. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në Euro në fund të 2024 ishte 1.12%, ndërsa një vit më parë kishte qenë në nivelin 0.99%.
Në rastin e Euros, konkurrenca e produkteve të tjera financiare është më e dobët, sepse individët nuk kanë shumë alternativa investimi financiar me rrezik të ulët, siç ndodh me Lekun. Gjithashtu, ndërmjetësimi në Euro për bankat ka kosto më të lartë, sepse Banka e Shqipërisë aplikon normë remunerimi zero për rezervat e detyrueshme në valutë, përveçse kërkon edhe nivele më të larta të këtyre rezervave. Për këto arsye, normat e interesit për depozitat në Euro ngelen më të ulëta krahasuar me ato në Lek.
Pavarësisht normave të ulëta të interesit, depozitat kanë vijuar rritjen pozitive edhe për vitin 2024. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i depozitave në fund të dhjetorit arriti vlerën e 1.68 trilionë lekëve, në rritje me 5.2% krahasuar me një vit më parë. Në mungesë të zhvlerësimit të mëtejshëm të Euros në kursin e këmbimit, rritja do të kishte qenë edhe më e lartë.
Bankat po “sulmojnë” me norma fikse afatgjata
Normat e ulëta të interesit mund të favorizojnë vazhdimin e kreditimit me ritme të larta të ekonomisë edhe gjatë këtij viti. Në përgjithësi, bankat kanë përgatitur plane biznesi që parashikojnë rritje të lartë të kredisë edhe për këtë vit. Madje, tashmë disa prej bankave tregtare në vend po ndërtojnë produkte me norma fikse interesi për periudha më afatgjata, deri në të gjithë kohëzgjatjen e kredisë.
Në fillim të këtij viti, Banka OTP Albania ka prezantuar një produkt të kredisë për shtëpi me normë fikse interesi që fillon nga 4% për 15 vjet. Burime nga tregu bëjnë të ditur se shumë shpejt, një produkt të ngjashëm, por në monedhën Lek, pritet ta ofrojë edhe Raiffeisen Bank Albania.
Në shumicën e rasteve, për produktet e kredisë hipotekore bankat shqiptare kombinojnë periudha me norma fikse dhe norma të ndryshueshme interesi. Në praktikën e deritanishme, periudha e normave fikse të interesit ka shkuar maksimalisht deri në pesë vjet, ndërsa më tej interesi ishte i ndryshueshëm mbi bazën e një treguesi benchmark (Euribori ose yield-i i bonove të thesarit), plus një marzh interesi fiks. Vetëm Banka Intesa Sanpaolo Albania, vitin e kaluar, për një periudhë të shkurtër pati ofruar një produkt kredie hipotekore me normë fikse interesi deri në 15 vjet.
Një normë fikse për të gjithë kohëzgjatjen e kredisë i heq huamarrësit riskun e ndryshimit të normës së interesit, duke e kaluar këtë rrezik te banka. Një normë fikse interesi për periudha afatgjata mund të jetë shtysë e mëtejshme për të nxitur individët drejt investimeve të reja në pasuri të paluajtshme, qoftë për qëllime banimi apo investimi.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar sektori bankar disbursoi 379.8 miliardë lekë kredi të reja, në rritje me 19% krahasuar me vitin 2023. Sipas monedhës, rritja e kredisë edhe vitin e kaluar u mbështet sidomos nga financimet në monedhën vendase. Portofoli i kredisë në Lek vitin e kaluar u rrit me 14.3% dhe përbënte 56.2% të portofolit të kredisë për ekonominë, nga 55.2% që zinte një vit më parë.
Vitin e kaluar, portofoli i kredisë për ekonominë u rrit me ritmet më të larta që prej vitit 2009. Në fund të vitit 2024, portofoli arriti vlerën e 835.6 miliardë lekëve, 12.3% më shumë krahasuar me një vit më parë. Rritja është edhe më e lartë, e korrigjuar për efektin e kursit të këmbimit mbi kredinë në valutë.
Të dhënat e para tregojnë se rritja e shpejtë e kredisë po vazhdon edhe në fillimin e këtij viti. Portofoli i kredisë për ekonominë në fund të muajit shkurt arriti në 847 miliardë lekë. Me bazë vjetore, portofoli total i kredisë ishte në rritje me 13%, me një rritje vjetore madje edhe pak më të lartë krahasuar me fundin e vitit të vitit të kaluar. Kredia është në rritje në të gjitha segmentet kryesore të tregut, me përjashtim të korporatave publike.
Rritja vjetore e portofolit për kompanitë private arriti në 13.4%, ndërsa për individët, në 14.1%. Portofoli i individëve vazhdon të ketë ritme më të larta të rritjes vjetore, për shkak të një strukture më të qëndrueshme, të mbështetur sidomos te kreditë afatgjata për blerje banesash./ Monitor
Surpriza për Laertin zbuloi se aktorja e madhe Tinka Kurti përfundon në azil pleqsh